6 Mars, 2019 - 10:28 am
Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, zë sot njërën prej hapësirave të gjigantit mediatik BBC.
“A është Prishtina kryeqyteti më i shëmtuar europian?” – është titulli i një shkrimi të gjatë të autores Deborah Huso, që ka qëndruar vet në Prishtinë për dy ditë dhe nga ato që ka parë e trajtuar në tekstin e saj, e kanë bërë që ta shtrojë këtë pyetje në krye të artikullit, njofton Klan Kosova.
Huso, e cila nuk është gazetare e BBC, por bllogere që fokusohet në udhëtime dhe tema të suksesit në punë dhe amësi, sa ka qëndruar në Prishtinë, ka vizituar monumente fetare e historike, bulevarde, statuja dhe objekte të ndryshme.
Ndërtesat e stilit komunist dhe rrugët e pluhurosura e të përbaltura janë, sipas saj, të parat që ta qartësojnë pse Prishtina bie në sy për të keq.
Ajo përmend se publikimi turistik Lonely Planet e ka cilësuar kryeqytetin kosovar si vend që estetikisht nuk do ta bënte kurrë dikë që ta vizitonte ndonjëherë.
Boston Globe dikur kishte shkruar: “Ky qytet ballkanik është ndoshta ndër më të shëmtuarit në botë dhe qyteti më qesharak në Europë”, citon Huso.
Por, megjithatë, ajo përmend se duke qenë një vend që ka përjetuar në vazhdimësi luftëra, Prishtina nuk mund të krahasohet me Parisin apo Romën.
Ndërtesa e Hotelit Grand dhe xhamat e thyer përmenden ndër të parat dhe citohet Presidenti Hashim Thaçi kur kishte thënë për New York Times: “Nuk mendoj se është hoteli më i keq në botë, për shkak se bota është shumë e madhe”.
Ndërtesën e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” ajo e quan famëkeqe, e përmend se si Virtual Tourist e ka quajtur atë njërën prej ndërtesave më të shëmtuara në botë.
“E hapur më 1982, ajo është krijimi më i habitshëm i arkitekturës brutaliste: një monstër me dofarë rrethojash të metalta që të japin të mendosh se është më shumë një burg”. Bukuria e saj e vetme janë 99 kupolat dhe dritaret e mëdha.
Ndërtesën e Katedrales “Shën Nënë Tereza” dhe lartësinë e saj prej 76 metrash, Huso e ka quajtur ironike, duke përmendur se ajo ndodhet në qendër të Prishtinës për faktin se vetë Vatikani ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe se 90 përqind e kosovarëve janë të besimit Islam.
Historia e katedrales, sipas Huso, reflekton dëshirën e kosovarëve për të lënë prapa vetes dekada konfliktesh që më shumë kanë qenë etnike sesa fetare.
Ecjen nëpër sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë ajo e ka përshkruar si të tmerrshme.
Thekson se ndër gjërat e mira këtu ka hasur në kulturën e kafesë, por që shëmtia është te numri i madh i kafeneve – rreth 100 – në një qytet që ka rreth 200 mijë banorë.
Përmendorja e kohës komuniste afër ndërtesës së Komunës së Prishtinës, Monumenti “NEWBORN” dhe monumenti “HEROINAT”, janë të radhës që kanë rënë në syrin e saj.
Objektet e larta fetare të kohërave të vjetra dhe shtatoret e larta te heronjve kombëtarë, por edhe figurave tjera me peshë ndërkombëtare si ajo e Bill Clinton, zënë vend në tekstin e publikuar në BBC.
“Ne ndoshta kemi statujën më të shëmtuar në botë të Bill Clinton” citohet kryetari i komunës Shpend Ahmeti kur ka folur për Osservatorio Balcani Caucaso Transeuropa vitin e kaluar.
“Gruaja e tij Hillary kur përuroi atë tja: ‘Nuk duket se është burri im”.
Në tekst është përmendur edhe mosfurnizimi i vazhdueshëm më ujë, por që në fund Huso gjithçka ka përmbyllur me fjalët: “Padyshim se Prishtina nuk i ngjan as Parisit as Romës. Por, për shkak të së kaluarës së rëndë do të gjeni njerëz që marrin veten shpejt dhe një kryeqytet që është gati ta shkruajë kapitullin e tij të radhës”.
“Kjo është e bukura e pamohueshme”. / KultPlus.com