BE paralajmëron projektin për trashëgimi kulturore në Janjevë

23 Shkurt, 2022 - 6:59 pm

Kryetari i Komunës së Lipjanit Imri Ahmeti, ka pritur sot në takim shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, me të cilin fokus të veçantë në diskutim kanë pasur marrëveshjen e gjelbër dhe mbrojtjen e mjedisit.

Në një konferencë për medie Ahmeti fillimisht vlerësoi lart bashkëpunimin dhe kontributin e Bashkimit Evropian për implementimin e disa projekteve në Komunën e Lipjanit.

“Natyrisht që ishte kënaqësi ta takojë ambasadorit e BE-së për vizitën që sot ka në Lipjan. E falënderoj shumë për kohën normalisht, për bashkëpunimin e deritanishëm. Kemi biseduar normalisht për punët e përbashkëta deri tanishme, për situatën që kemi në investimet tona si nga masat këto që kanë të bëjnë me marrëveshjen e gjelbër, për bashkëpunimin që na pret edhe në të ardhmen dhe për periudhën e deritanishme. Presim që shumë shpejt të fillohet në Janjevë, projekte të trashëgimisë kulturore dhe do të shohim në vazhdim për angazhimet tona në projektet e reja”, tha Ahmeti.

Shefi i Zyrës së BE-së, Tomas Szunyog në një prononcim për KosovaPress tha se Komunën e Lipjanit e çmon për faktin se është komunë shumetnike, derisa theksoi se janë në zhvillim të një projekti për trashëgimi kulturore, në Janjevë.

“Po ashtu e çmoj shumë faktin që Komuna është shumetnike, është një numër i konsiderueshëm i etniteteve të ndryshme që jetojnë në komunë. Së bashku me UMBP, jemi duke e zhvilluar një projekt në Janjevë në aspektin e trashëgimisë kulturore, sepse siç e dimë një pakicë kroate jetojnë në Janjevë. Mirëpo, jemi të përqendruar po ashtu që të shohim një integrim më të madh të komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptianë”, thotë Szunyog.

Ai bëri të ditur se kanë diskutuar edhe për raportin e Asosacionit të kryetarëve të komunave mes vete si dhe me nivelin qendror. /atvlive.tv/ KultPlus.com

Të ngjajshme