BE: Po presim caktimin e lokacionit nga Komuna për Sallën Koncertale

2 Gusht, 2018 - 10:44 pm

Në lidhje me prononcimin e Kryetarit të Komunës së Prishtinës se Zyra e Bashkimit Evropian mund të financojë ndërtimin e Sallës Koncertale, kjo e fundit ka dalë me një qëndrim, shkruan KultPlus.

Përmes postimit në Facebook, Zyra e Bashkimit Evropian ka treguar se financimi i projektit është një lloj konfirmim nga Komisioni Evropian. Mirëpo, fillimisht sipas tyre duhet që të caktohet një lokacion.

“Në lidhje me atë se BE mund të financojë ndërtimin e sallës koncertale, fillimisht duhet që të caktohet një lokacion i duhur nga ana e Komunës. Ne jemi momentalisht duke pritur që Kryetari i Komunës të sigurojë një lokacion të tillë, pa pengesa ligjore apo teknike. Pasi që kjo të bëhet, hapat e tjerë dhe thirrja për të dizajnuar sallën koncertale mund të vazhdojnë”, është shkruar në reagimin e Zyrës së Bashkimit Evropian.

Tutje në postim thuhet se Bashkimi Evropian punon vazhdimisht për të përmirësuar jetën e njerëzve në Kosovë ku shumë e rëndësishme është edhe kultura.

Projekti për Sallën Koncertale do të mbështetet me vlerën prej 15.4 milionë euro, nga fondet e Bashkimit Evropian, ndërsa projekti fitues pritet të përzgjidhet deri në fund të vitit. /KutlPlus.com

Të ngjajshme