21 Shkurt, 2025 - 2:20 pm
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat në vijim të punës së përditshme për mirëmbajtjen dhe promovimin e monumenteve është duke përmirësuar sinjalistikën turistike.
Konkretisht janë duke u zëvendësuar tabelat e dëmtuara informuese dhe shpjeguese në monumentet e kulturës.
Në një postim në rrjetet sociale Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore ndau momente nga vendosja e tabelave të reja që janë në shqip dhe anglisht.
Sipas DRTK-së këto tabela i vijnë në ndihmë turistit për t’u informuar mbi vlerat kulturore, historike dhe arkitektonike të monumenteve të qytetit.
DRTK i bën apel qytetarëve të jenë më bashkëpunues në mirëmbajtjen e tyre duke mos i dëmtuar ato, për një imazh dhe shërbim më të mire në sezonin e ri turistik.
Në të gjithë qarkun e Beratit numërohen rreth 486 monumente kulture dhe kjo ka një impakt të jashtëzakonshëm, sidomos në rritjen e fluksit të turizmit kulturor sidomos vitet e fundit./ KultPlus.com