Berati kërkon mbështetje për mirëmbajtjen e zonave muzeale

19 Prill, 2018 - 10:30 am

Erjola Azizolli

Dje, në Ditën e Monumenteve të Kulturës, në lagjen muzeale ‘Mangalem”, në Berat, është hapur një tjetër shtëpi pritëse duke e çuar në 14 numrin e bujtinave. Mirëpo për mirëmbajtje e kësaj lagje muzeale, pushteti vendor kërkon bashkëfinancime dhe bashkëpunim, shkruan KultPlus.

Gjatë inaugurimit të kësaj shtëpie pritëse, kryetari i bashkisë së Beratit, Petrit Sinaj, i bëri thirrje ministrisë së Kulturës dhe donatorëve të ndryshëm, që të kthejnë vëmendjen ndaj këtyre vlerave të trashëguara.

“Në këtë ditë të veçantë siç është kjo e sotmja ju bëjmë thirrje dhe banorëve që janë pronarë të këtyre godinave, vëmendja kthehet ndaj Ministrisë së Kulturës, por dhe ndaj institucionit të bashkisë, për të bërë një koordinim të fortë për të rrjetëzuar dhe për të mirëmbajtur lagjet muzeale, me të cilat ne krenohemi”, tha kryetari i bashkisë.

Banesa 300 vjeçare ishte thuajse e rrënuar dhe tashmë fal restaurimit nga mjeshtrit më të mirë të ndërtimit të gurit dhe drurit është në shërbim të vizitorëve.

Nga ana tjetër ai u shpreh se fakti që Berati është pjesë e UNESCO-s na mundëson një markë, e cila na ndihmon për tërheqjen e vizitorëve.

“UNESCO është një markë shumë e rëndësishme që qoftë qeveria, qoftë bashkia e Beratit, banorët e zonave muezale ta shfrytëzojmë për mirë, për të rritur nivelin e turizmit, por dhe nivelin e shërbimeve. Kostoja e mirëmbajtjes së një banese muzeale është shumë e lartë dhe krijon shumë vështirësi për ta përballuar të vetëm pronarët”, tha Sinaj.

Plot 103 monumente kulture të kategorisë së parë numërohen në të gjithë Qarkun e Beratit dhe 383 objekte të kategorisë së dytë, të cilat janë të përqendruara më shumë në qytetin muze, i cili strategjinë e tij të zhvillimit e ka përqendruar tek turizmi. Një pjesë jo e vogël e këtyre monumenteve kërkojnë ndërhyrje urgjente, pasi prej vitesh nuk është ndërhyrë në to, ndërkohë që lagjet muzeale ‘Mangalem”, “Goricë’ dhe “Kala”, janë vetë pronarët që i kanë kthyer ato në shtëpi pritëse për vizitorët e huaj dhe vendas.

Monumentet e kulturës, banesat e kategorive të para dhe të dyta, objektet e kultit, janë pjesë e vlerave të qytetit të Beratit, që ofrojmë mundësitë për shtimin e të ardhurave nëpërmjet turizmit. / KultPlus.com

Të ngjajshme