10 Qershor, 2018 - 6:00 pm
Qyteti i Beratit, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, vazhdon të jetë destinacioni i preferuar i shumë vizitorëve nga e gjithë bota, ku vetëm gjatë muajve janar-maj 2018, u vizitua nga 10.031 turistë të huaj.
Qyteti 2400 vjeçar i Beratit i njohur jo vetëm për bukurinë e tij të rrallë, por edhe për mikpritjen, ka zgjuar interesin e turistëve të shumtë që e kanë vizituar. Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Berat bën të ditur se “numri i turistëve që vizituan qytetin e Beratit gjatë periudhës Janar-Maj krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar është rritur në mënyrë të ndjeshme me rreth 17.956 vizitorë më shumë”.
Sipas DRKK-së, “numri i vizitorëve të huaj nga vende si Gjermania, Polonia, Franca dhe Italia ka ardhur në rritje duke shkuar në 10.031 vetëm në 5 muaj”.
Turizmi është një nga opsionet më premtuese për rritjen ekonomike në Berat, qytet që me monumentet e tij të kulturës është gjithmonë e më shumë në vëmendjen e turistëve. Qendra urbane e Beratit, reflekton influenca të traditës së banesave popullore ballkanike, që datojnë kryesisht në shekujt e 18 dhe 19 e.s.
Kjo traditë është adaptuar për t’iu përshtatur mënyrës së jetesës së qytetit, me shtëpitë e vendosura në shpate me planimetri kryesisht horizontale dhe që përdorin gjerësisht dritën natyrore.
Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë. / KultPlus.com