Berati me një muze të ri për kujtesën e hebrenjve, hapet muzeu “Solomoni”

3 Maj, 2018 - 4:30 pm

Erjola Azizolli

Qyteti me vlera i Beratit që prej ditës së sotme ka një institucion të ri kulture, një muze që sjell në vëmendje një memorie shekullore të bashkëjetesës, bashkëpunimit dhe solidaritetit mes beratasve dhe komunitetit hebre në këtë qytet. Studiuesi beratas, Simon Vrusho nëpërmjet fotove, dokumenteve, evidentimit të familjeve beratase, sjellë për herë të parë për publikun dhe vizitorët një muze që rrëfen një hapësirë kohore 500 vjeçare, nga viti 1520, kur në këtë qytet u vendosën 25 familjet e para hebreje që përbënin një lagje të quajtur “Mëhalla e Çifutëve”.

I hapur nga studiuesi Vrusho në rrugën që të çon për në Kalanë e qytetit, muzeu nëpërmjet fotove, dokumenteve të kohës ndalet tek shpëtimi dhe strehimi i mbi 600 hebrenjëve në kohën e Holokausit.

Ditën e sotme drejtues institucionesh vendore, pasardhës të familjeve që strehuan hebrenjtë, mësues dhe nxënës shkollash ishin pjesë e hapjes zyrtare të kësaj foto galerie muzeu me përmbajtje hebraike, ku ishte prezent dhe Rabini i Shqipërisë Yisorel Finman, drejtor Ekzekutiv i Rabinatit të Shqipërisë.

“Ky Muze, i pari i llojit të vet, është i pari në Berat dhe në hapësirën mbarëshqiptare që evokon praninë hebraike 500-vjeçare, me fokus të veçantë Luftën II Botërore, Kohën e Holokaustit, kur në Berat u strehuan dhe u shpëtuan mbi 600 hebrenj, një pasaportë bese dhe humanizmi shqiptar, me të cilën i kemi të hapura të gjitha rrugët e ndjeshmërisë njerëzore, duke qenë në harmoni me njeriun dhe Zotin”, tha në fjalën e tij studiuesi Vrusho.

Ndërsa, duke e konsideruar si mjaft të rëndësishëm kontributin e familjeve beratase në shpëtimin e Hebrenjëve, Rabini Yisroel Finman, u shpreh në fjalën e tij se “Ju keni një vlerë të madhe, besën që duhet ta promovoni”, ndërkohë që kujtoj fjalën e dhënë nga kryeministri Rama për ndërtimin e Qendrës Hebraike në Tiranë.

Përshëndetje për hapjen e këtij muzeu solli dhe nënkryetarja e bashkisë, Teuta Muçogllava./ KultPlus.com

Të ngjajshme