15 Dhjetor, 2017 - 5:25 pm
Drejtori në Drejtorinë e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Besart Vllahinja, sot nëpërmjet në letre publike, u ka bërë thirrje Kryeministrit të Republikës së Kosovës-Ramush Haradinaj dhe ministrit të Ministrisë së Punëve të Jashtme-Behgjet Pacolli, që të iniciojnë riatdhesimin e aseteve të trashëgimisë kulturore të Kosovës, shkruan KultPlus.
Vllahinja, përmes kësaj letre të publikuar edhe në rrjetin social Facebook, i bëri thirrje qeverisë që këto asete të Kosovës të cilat padrejtësisht janë përvetësuar nga autoritetet e Beogradit.
“Ju bëj thirrje të iniconi kthimin e këtij thesari kulturor e historik, i cili realisht i takon Shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj”, thuhet ndër të tjera në letrën e Vllahinjës.
Në vijim, KultPlus, po sjellë të plotë Letrën Publike të drejtorit të Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës-Besart Vllahinja:
LETËR PUBLIKE
I nderuar Kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj,
I nderuar zv. Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme, z. Behgjet Pacolli,
Ju drejtoj këtë letër publike në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës dhe si qytetar i Prishtinës, duke respektuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës, përkatësisht Neni 9, ku trajtohet [Trashëgimia Kulturore dhe Fetare] “Republika e Kosovës siguron ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë së vet kulturore dhe fetare”, nën përgjegjësinë morale e shoqërore dhe arsyeshmërinë e kontributit për riatdhesimin e aseteve të trashëgimisë kulturore të cilat padrejtësisht janë përvetësuar nga autoritetet e Beogradit tash e tetëmbëdhjetë vjet, duke numëruar këtu momentin prej fillimit të hapjes së gjoja ekspozitës përgjatë periudhës së luftës në vendin tonë në vitet 1998 respektivisht 1999.
Më lejoni të përkujtoj faktet të cilat kanë përcjellë këtë histori të dhimbshme.
Në vitin 1998, në emër të ekspozimit të artefakteve dhe objekteve etnologjike dhe arkeologjike nga Muzeu i Prishtinës, në galerinë e Akademisë së Shkencave dhe Arteve Serbe është realizuar ekspozita e ashtuquajtur: “Thesaret Arkeologjike të Kosovës dhe Metohisë: Nga periudha e Neolitit deri në Mesjetën e Hershme”.
Nga të gjitha këto asete, e që sipas vlerësimit të ekspertëve, për nga numri përllogaritet të arrijnë afërsisht 2000 objekte materiale, deri më tani është kthyer vetëm “Hyjnesha në Fron”, simbol të cilin me krenari e mbanë edhe Komuna e Prishtinës.
Sfondi kohor dhe historik kur artefaktet janë larguar nga asokohe Muzeu i Prishtinës, fondin e të cilit e kanë pasuruar artefaktet arkeologjike nga e gjithë Kosova, na bën’ të kuptojmë që “ekspozita e trashëgimisë kulturore” do të shërbente, në njërën anë si pararojë e politikave të përvetësimit të fakteve dhe historisë dhe në anën tjetër si politikë për konsum ditor i regjimit në Beograd.
Meqenëse, Konventat Ndërkombëtare dhe Protokollet të cilat e rregullojnë sferën e trashëgimisë kulturore lejojnë lëvizjen e aseteve të trashëgimisë kulturore, kur kjo është e mundshme, të drejtë të cilën fatkeqësisht autoritet asokohe e kanë shfrytëzuar, përmes kësaj letre publike Ju bëj thirrje të iniconi kthimin e këtij thesari kulturor e historik, i cili realisht i takon Shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Duke konsideruar faktin që rrëmbimi i artefakteve nga Muzeu i Prishtinës është zhvilluar në periudhë lufte, konsideroj që, ndërmjet tjerash materiali dhe rruga për zgjidhjen e çështjes të trajtohet përmes Konventës së Hagës për Mbrojtjen e Aseteve Kulturore në Rastet e Konflikteve të Armatosura (The Hague Convention for the Protection of Cultural Property in the Event of Armed Conflict) e hartuar më 14 Maj 1954, përkatësisht dy protokollet e saj hartuar më 1954 dhe 1999.
Sipas të dhënave të UNESCO, Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë është njëra nga shtetet firmëtare të Konventës, kurse Serbia në vitin 2001 ka depozituar njoftimin për suksesion, për çka edhe ligjërisht merret përgjegjëse.
Në deklarimet publike të autoriteteve përkatëse në Beograd, përmendet që artefaktet fizike, pjesë e ekspozitës në fjalë, nuk konservohen dhe mirëmbahen sipas normave, praktikave dhe standardeve ndërkombëtare.
Duke konsideruar këtu autoritetin Tuaj dhe gatishmërinë për gjetjen e një zgjidhjeje juridike, e në rastin tjetër edhe diplomatike në kuptim të gjetjes së zgjidhjes duke ndjekur modelin përmes protokollit të nënshkruar nga ana e Kroacisë dhe Serbisë në vitin 2012, të cilit i parapriu procesi gjyqësor i nisur nga Kroacia në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, besoj fuqishëm për rezultatin pozitiv dhe të shpejtë.
Me dashamirësi dhe urimin për suksesin e nismës,
Besart Vllahinja,
Drejtor i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës