21 Prill, 2019 - 11:41 am
Blogerët kolumbianë, Lina dhe Andres i kanë kushtuar një reportazh fantastik Shqipërsië, duke e përshkruar atë nga veriu në jug dhe duke e vlerësuar si xhevahirin e Ballkanit në blogun e tyre “Renunciamos y Viajamos”.
Ashtu si Kolumbia, Shqipëria është e mbuluar nga një mantel, nën të cilin qëndron një vend plot me xhevahire për t’u zbuluar. Vetëm ata që guxojnë, do të kenë mundësinë të shijojnë koktejlin që u ofrohet vizitorëve në shenjë mikpritjeje, të eksplorojnë pasurinë historike dhe bukurinë e pashembullt natyrore të këtij vendi. Shqipërisë i është veshur një imazhi famëkeq duke e bërë pjesë të rreziqeve të ndryshme si mafia, droga, krimet dhe emigrantët. Por, mjafton të shkelësh në këtë vend dhe të përshkosh pozitën e tij gjeografike për të kuptuar se Shqipëria ofron më shumë sesa disa lajme të këqija për të cilat televizioni mbetet përgjegjës. Por, natyrisht që këto fenomene ndodhin edhe në një vend si Kolumbia. Gjatë një turi dy-javor, ne zbuluam bukuritë që ofronte Shqipëria dhe zonat që ne vizituam i tejkaluan pritshmëritë tona, historia dhe bukuria e natyrës që ky vend ofron na nxiti dhe më shumë për t’u rikthyer sërish në Shqipëri.
Kjo është historia sesi ne u gjendëm në një situatë të vështirë në Shqipëri.
Kolumbianë? Prisni aty, ju lutem.
Ata nuk e kishin idenë se çfarë mund të bënin me pasaportat tona. Ne mbërritëm me taksi nga Ulqini, qyteti kufitar i vendit fqinj, Mali i Zi. Kaluam pothuajse të gjithë Ballkanin, por vetëm sot, ditën që kaluam kufirin shqiptaro-malazez, u përballëm me një situatë që na i vështirësoi mundësitë tona për të udhëtuar. Taksia na la pasi vulosëm daljen nga Mali i Zi dhe shkuam drejt pikës kufitare shqiptare. Kabinat dukeshin sikur ishin shpëtuar nga braktisja. Ne qëndruam në pritje ndërsa çantat e shpinës i vendosëm në dysheme.
Ku janë vizat tuaja? Pyet një oficer me një anglishte të çalët.
Që prej muajit dhjetor 2018, siç është raportuar, Shqipëria ka qënë vendi i fundit në listën e kombeve që hapën dyert për kolumbianët për të hyrë pa viza në territorin e tyre. Por zotërinjtë këtu nuk e dinë. Ata futen në “Google”, flasin me njëri-tjetrin, thërrasin eprorin dhe na pyesin sërish.
Ku po shkoni?
Sot ne duam të flemë në Shkodër dhe pastaj të vazhdojmë rrugën drejt Tiranës.
Dhe si u gjendët në këtë kufi?
Ata as që nuk e dinë se çfarë janë duke kërkuar. Papritur, njëri prej tyre fillon të shfletojë fletët e pasaportave. Ai zbulon se pasaportat përmbajnë pulla dhe viza.
Më falni, nuk i pamë pasaportat tuaja. Sa kohë dëshironi të qëndroni në Shqipëri?
I’a hodhëm edhe stresit në kufi. Ne bëhemi gati të udhëtojmë drejt një vendi të ri, për të cilin kemi shumë pritshmëri, por shumë pak njohuri.
Shkoder, kthimi në doganën plot kaos
Herën e fundit që u larguam nga shtëpia shkuam në Kanada dhe pastaj në Gjermani. Ndërmorrëm një udhëtim që zgjati më shumë se një muaj drejt Rusisë kur luhej kampionati botëror i futbollit për t’u kthyer në Europë dhe më pas në Ballkan. Vende të mbushura me kështjella, ndërtime madhështore dhe sinjalistika rrugore që respektohen. Pastërtia dhe nivelet e zhurmës në rrugë, të tolerueshme edhe për një të porsalindur, trena të shpejtë dhe të përpiktë, një rregull i panjohur për ne dhe ushqim pa erëza për dy udhëtarë latinë të mësuar me kaosin e vendit prej nga vijnë.
Për këtë arsye, kur mbërritëm në Shqipëri na u duk sikur na nxorrën nga akuariumi i shndritshëm dhe i rregullt për të na hedhur përsëri kundër rrymës. Aty ku makinat ecin në rrugë të hapura me punime që nuk kanë përfunduar ende dhe teksa ecën përgjatë rrugës mundohesh të evitosh kabllot që varen nga rrjeti i energjisë, ku autobusin duhet ta presësh në stacione të padukshme ndërtuar me material të bëra me porosi.
Ne jemi dy peshq më shumë në këtë pellg ku çdo gjë duhet bërë. Kësja duhet t’i shtojmë një mikpritje të ngrohtë në mes të këtij dimri të ftohtë ballkanik dhe çmimet më të ulta se në çdo vend tjetër të Europës na bën të ndihemi si në shtëpi.
Është ftohtë këto ditë. Krishtlindjet po afrohen dhe temperaturat po shkojnë drejt zero gradë. Mbërrijmë në Shkoder, si gjithmonë, pa rezerva por në pritje të fatit të rradhës. Me çanta mbi supe ne ecim nëpër rrugë derisa shenja që kërkonim shfaqet përpara nesh. Është një reklamë e madhe, që shkëlqen në krye të ndërtesës më të bukur në lagje, lexon me gërma të mëdha: “HOTEL ARGJENTINA”. Ne e ndiejmë thirrjen e destinacionit nga vijmë dhe ecim drejt saj.
Hyjmë brenda, drejtohemi tek recepsioni dhe kërkojmë pronarin. Përshëndetje, ne jemi Andres dhe Lina, ne udhëtojmë nëpër botë, jemi blogerë udhëtimi dhe sapo kemi ardhur në Shqipëri. Ky është projekti ynë i udhëtimit. Njeriu, i cili nuk është argjentinas, por shumë më i ri se ne, na dëgjoi sikur të ishin duke pritur prej kohësh. Ai na ofroi tri netë në hotelin e tij: “Mirë se vini, mëngjesi shërbehet deri në orën 10:00”.
Bëme një pushim, u ngrohëm dhe ecëm në këmbë për të parë Shkodrën. Berbera dhe dyqane bastesh në çdo rrugë ku dhjetëra burra mblidhen për të ndjekur ligat më të mëdha europiane dhe për të vënë bast për ekipet e zemrës.
Gjithmonë shije e mirë të mbetet nga këta njerëz që të buzëqeshin kudo që shkel, që u rekomandojnë vizitorëve vendet e bukura të qytetit të tyre, që shpjegojnë me qetësi gatimet që ofron menuja dhe reklamojnë në rrugë shumë rroba dimri të përdorura. Meqë ra fjala, Lina gjeti disa dorashka marke për vetëm dy dollarë.
Si pjesë dikur e Perandorisë Osmane, në Shqipëri pjesa më e madhe e popullsisë (70%) praktikon fenë islame. Pjesa tjetër (30%) ndahet mes katolikëve që janë 20% dhe ortodoksëve që janë 10%. Mes viteve 1967 dhe 1990 besimi ishte i ndaluar nga regjimi komunist i diktatorit Enver Hoxha dhe të gjitha kishat dhe xhamitë u mbyllën ose shkatërruan, si dhe në vitin 1973 ky ishte vendi i parë në botë që e shpalli veten ateist. Por sot thirrjet për lutje të myslimanëve janë pjesë e zhurmave të jetës së përditshme të shqiptarëve.
Shqipëria është Kolumbia e Europës, na tha Marko kur shëtitëm me veturën e tij luksoze “Mercedes Benz”. Ai nuk kuptonte as spanjisht as anglisht, por fliste shumë mirë italiasht, gjuha e dytë më e përdorur në Shqipëri për shkak të afërsisë me Italinë.
Të kesh sot një “Mercedes Benz” në Shqipëri është njësoj si të kishe një veturë “Reanult” në vitet 80’ në Kolumbi. Ato i sheh kudo, ato përdoren nga çdo punëtor dhe rrugët janë të mbushura plotë me këto vetura të parkuara dhe me ofiçina të specializuara për t’i rregulluar. Por vetura e këtij tipit është si një anije. Kur mbërritëm në Tiranë filloi repertori i ankesave për qytetin, vendin, shoqërinë që çdokush ia shpreh kujtdo me të cilin krijon konfidencë. Rregullat janë të këqija, këtu nuk funksionon asgjë, shiko sa keq është punuar kjo dhe ajo, si dhe për çdo gjë e ka fajin mafia.
Ai ende nuk e kishte përfunduar listën e tij të ankesave kur një veturë tjetër e goditi nga pas. Ai doli plot zemërim, pa me vëmendje bojën e bardhë të fildishtë të veturës së tij si anije kozmike dhe u kthye duke buzëqeshur.
“Nuk ishte asgjë, kjo ndodh shpesh këtu, sepse trafiku është një katastrofë”. Rreth 15 minuta më pas e njëjta gjë ndodhi me një veturë tjetër, “ai duket djalë i mirë, ska gjë”, buzëqeshi dhe vazhdoi rrugën e tij. Më në fund mbërritëm. Patëm një debat të vogël me shoqëruesin, pasi ai pretendonte që të paguhej për udhëtimin që na ofroi, ndërkohë që menduam se na mori sepse dëshironte të na ndihmonte.
Mirësevjen në shtëpi
“Nuk ndodhi asgjë, keni për të parë, do e dashuroni Shqipërinë, vajtëm në shtëpi, u shlodhëm dhe më pas dolëm për të ngrënë diçka”.
Këtu njohëm, Juan Carlos, një kolumbian, i cili na ftoi në apartamentin e tij që e kishte marrë me qera ndërkohë që ishte duke zhvilluar një projekt konsultimi për të ngritur sipërmarrjet që nuk kishin arritur të gjenin rrugën e suksesit.
Shqipëria është një vend me një histori fantastike, plotë kështjella, qytete osmane që janë pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, një kryeqytet që nuk ngjason me kryeqytetin e asnjë vendi tjetër, por ende vazhdon përpjekjet për të lënë pas gjysmëshekulli komunizëm që nuk ka shumë vite që ka përfunduar. Por mbi të gjitha, ka një atmosferë madhështore në gjendje që të lërë gojëhapur cilindo që e eksploron. Shlodhje, adrenalinë, male, det, lumenj, plazhe, laguna, dëborë… Çdo gjë ndodhet në menunë shqiptare që është duke pritur që të shërbehet sipas shijeve të udhëtarëve. Dhe sigurisht që ne e provuam.
Pelikanët e Ujit
Ne vendosëm në ujë varkat me rrema në mënyrë që të udhëtonim nëpër lagunën më të madhe të vendit. I ftohti është i hatashëm por ndjesia e të qenurit vetëm në këtë pafundësi e shnëdrron këtë në një kënaqësi që të shlodh nga shtatë muajt e fundit mbushur plotë udhëtime me çantën në shpinë. Në fakt ne nuk jemi krejtësisht vetëm, varka jonë drejtohet nga Blerina Ago, vajza 30-vjeçare që është shndërruar në imazhin e turizmit të qëndrueshëm në vend.
Me Blerinën u njohëm nëpërmjet, Juan Carlos dhe kur i treguam për udhëtimin tonë, ajo u ofrua që të na shëtisë një fundjave për të jetuar eksperienca plot aventurë me kompaninë e saj “Active Albania”. Udhëtimi filloi këtu, në perëndim të vendit në lagunën gjigante të Karavastasë, një nga më të mëdhatë në Mesdhe. Horizonti pret në dysh qiellin me ujërat e akullt ku lundrojnë qindra pelikanë gjigantë. Këtu jetojnë 5% e popullsisë botërore të këtij pelikani.
Në furgonin që na mori në Tiranë, shkuam deri në Berat, qytetin e vjetër pjesë të tragjëgimisë kulturore të UNESCO i njohur si “Qyteti i njëmijë dritareve”. Shqipëria ishte prova se udhëtimet janë një cikël që vazhdon të përsëritet. Pasi kishim kaluar Europën, Rusinë dhe pjesën tjetër të Ballkanit duke kërkuar një strehë sa për të fjetur, këtu ju kthyem të fjeturit në hotele të ngrohtë dhe të rehatshëm. Fillimisht në hotelin “Argjentina” në Shkoder e tani në hotelin e mrekullueshëm “Castle Park” në Berat, një hotel luksoz në të cilin Blerina na ftoi të kalonim netët bashkë me ekipin e produksionit. Ushqime tipike shqipëtare, verë, ëmbëlsira dhe shoqëri e mire. Shqipëria na ka rrëmbyer me të vërtetë. Por më e mira nuk ka filluar akoma.
Përballja me frikën për tu ndjerë të gjallë
Nëse fama e keqe e shekullit XXI që ka marrë Kolumbia është për shkak të serialit të “Netflix”, “Narcos”, kjo famë Shqipërisë i ka ardhur nga aktori i famshëm Liam Neeson protagonist në filmin “Taken”, në të cilin ai luan rolin e një babai të dëshpëruar dhe të inatosur i cili bën çdo gjë për të shpëtuar vajzën e tij të rrëmbyer nga mafia shqipëtare. Por nëse në Kolumbi miti i Pablo Eskobar tërhoqi një valë turistësh që këkonin të ndiqnin gjurmët e monstrës që televizioni e ktheu në një “Robin Hood” të ligë, në Shqipëri ndodhi e kundërta me Neeson-in. “Hollywood”-i hapi fjalën se Shqipëria është një vend rrëmbyesish dhe është më mirë të mos vish këtu nëse të dhimbset jeta ose nëse nuk ke një baba që di karatenë që të të shpëtojë. Kjo në mendjen e zgjuar të Blerinës solli idenë e fushatës “Taken by Albania” (të rrëmbyer nga shqipëria) në të cilën shumë shqipëtarë ftojnë Leam Neeson të vizitojë vendin e tyre dhe të rrëmbehet nga mikpritja e tyre, traditat, kuzhina shumë e mire dhe mrekullitë natyrore dhe historike. Në videon e fushatës shihen pamje impresionuese që nuk mund të krahasohen lehtë me asnjë vend të planetit. Si kanioni i lumit të Osumit, ku kemi ardhur sot për të bërë rafting me Blerinën dhe ekipin e saj.
Sërish kostumet ngjyrë të ndezur na bëjnë të dukemi njësoj. Kemi helmeta dhe këpucë të veçanta që nuk e lejojnë ujin e ftohtë akull të na prekë këmbët. Sytë jeshil të Linës u mbushën me lot ashtu si çdo herë që do të përjetojë një eksperiencë në ujë. Sigurisht që mund të kishte qëndruar në hotel ndërkohë që ne të tjerët rrezikonim të vdisnim nga argëtimi në mes të rrymës së lumit. Duke parë zogjtë dhe ujëvarat ndërkohë kalonim duke dëshmuar natyrën në formën e saj më të bukur.
Drejtuesi i barkës sonë është drejtori i Ligës Kombëtare të Rafting në Shqipëri, me ne është edhe Blerina e cila ka kaluar 14 vite të jetës së saj duke sfiduar rrymat e lumenjve. Ajo na tha më përpara se të hipnim në barkë se për të kjo ishte si një droge, dhe se nga e hëna në të premte në zyrën e saj në Ministrinë e Turizmit ajo mezi pret fundjavën për t’u kthyer tek lumenjtë apo malet.
Në barkë ne ndiqnimim udhëzimet e gudës tone. “GO” për të vazhduar përbara, “BACK” për të vozitur mbrapsht dhe “STOP” që të ndalonim, elementaret. Rruga mes mureve gjigande të kanionit është më shumë për t’u parë se sa ekstreme, por ka momente kur krahët të dhembin nga vozitjet e shumta në ujë, gurët bëjnë që barka të lëkundet dhe lumi na tërheq me vërshim. Ne po lundrojmë në venat e hapura të Shqipërisë në kanionin e lumit të Osumit mes mikpritjes së këtyre njerëzve të cilët mundohen të largojnë paragjykimet dhe t’i tregojnë botës se kufijtë e tyre mbajnë brënda një stoli të papërpunuar që pret të zbulohet.
Qershia mbi tortë ishte shëtitja nëpër Berat në rrugicat e qytetit të njëmijë dritareve dhe fotografimi i maleve që plotësojnë imazhin. Mund të zgjatemi më shumë duke treguar çdo detaj që zbuluam gjatë ecjes në këtë bukuri osmane, por këtë here po ja lëmë lenteve të flasin dhe të na transportojnë për pak minuta në magjinë e qytetit.
Pas një nate Krtishtlindjesh Kolumbiane dhe një darke tek shtëpia e Juan Carlos-it, e mbyllëm këtë aventurë që na e hapi derën me duart bosh dhe na përcolli me zemrat plot me dashuri dhe kujtime. Ne u rrëmbyem nga Shqipëria dhe mezi po presim të kthehemi që të zbulojmë më shumë nga qytetet, plazhet dhe fashatrat që nuk i vizituam këtë herë.
Nga tani e tutje, sa here që dikush do të kërkojë një vend për të udhëtuar në Europë ne do t’i përmendim shqipërinë. Është gjithmonë mirë të rrëmbehesh nga njerëz aq të mirë dhe gjëra aq të bukura dhe të lira./atsh / KultPlus.com