Boga, peizazhi kulturor që ndërthuret me traditën, mikpritjen dhe etnosin e Alpeve Shqiptare

17 Nëntor, 2018 - 9:49 pm

Boga këtë fund vjeshte vazhdon të mbetet e mrekullueshme si destinacion për tu larguar nga zhurma e kryeqytetit e për të shijuar qetësinë dhe bukuritë e kësaj zone. Boga të ofron peizazhi kulturor që ndërthuret me traditën, bujtinat plot mikpritje dhe etnosin e Alpeve Shqiptare.

Boga ndodhet në pjesën e sipërme të Përroit të Thatë, rreth 48 km në veri të qytetit tëShkodrës. Lugina e Bogës, për nga origjina është akullnajore, ka formën e një rrethi ku malet që e rrethojnë formojnë kolona me lartësi mbi 2000 m.

Ajo për arsye të rrjedhjeve karstike ka shumë shpella dhe galeri nëntokësore të cilat i plotësojnë kërkesat e eksploratorëve të ndryshëm duke ia shtuar kështu vlerat turistike kësaj zone. Origjina akullnajore e Bogës e bën këtë vend të veçantë, fundi i luginës që është 700 m mbi nivelin e detit dhe majat mbi 2000 m lartësi, ajri i pastër, uji i ftohtë, peizazhi alpin e malor, të gjitha këto janë të veçanta, të rralla dhe mbi të gjitha janë mjaft atraktive për zhvillimin e turizmit.

Natyra e kësaj zone, pozita gjeografike e saj, e bëjnë këtë zonë lakmuese për ofertën turistike që paraqet. Përveç bukurive natyrore që lugina e Bogës ofron me bukuri alpine,peizazhet shkëmbore, pyje e lëndina, mund të përmendim relievin karstik që është shumë i theksuar dhe i shprehur me një numër të madh të shpellave dhe galerive karstike. Shpërndarja e shpellave karstike është e larmishme dhe me interes shkencor për spellollogët dhe turistët. Ndër shpella mund të përmendim, Shpella e Gjek Markut, Shpella e Silikokave, Shpella e Zanave e cila ka një pjerrësi në zhytje dhe Shpella e Madhe.

Boga karekterizohet nga një klimë mesdhetare malore me dimër të ftohtë dhe me një verë të freskët dhe me lagështirë. Kjo klimë është shumë e përshtatshme për zhvillimin e turizmit si atij dimëror dhe atij veror.

Popullsia e kësaj zone trashëgon traditat më të mira të tilla si: mikpritjen, besnikërinë, bujarinë dhe vlera të shumta morale. Ndër mundësitë e zhvillimit të sporteve natyrore është alpinizmi i cili mund të aplikohet me ngjitje në majat që janë përreth kësaj zone. Ndër sportet e tjera që mund të zhvillohen janë: Gara me kuaj (hipizëm), shëtitje me biçikleta (këto mund të zhvillohen në pjesën e sipërme të luginës në fushën e Okolit), sporti i gjuetisë etj.

Pra në Bogë mund të shijosh të katër stinët për shkak të larmishmërisë së terrenit që ofron dhe bukurive natyrore që ka./a.a/ KultPlus.com

Të ngjajshme