Bonusi i Rijetësimit, Kulla e Kurpalëve kthehet në shtëpi muze për turistët

17 Tetor, 2023 - 10:30 am

Kulla e Isa Kurpalit, është një prej objekteve që kanë përfituar nga programit i Bonusit të Rijetësimit.

Kulla e Kurpalëve, falë mbështetjes financiare të Ministrisë së Kulturës, përmes grantit të bonusit, së shpejti do të kthehet në një shtëpi muze për turistët. Granti mbështetës do t’i vijë në ndihmë trashëgimtarëve që objektin historik t’a kthejnë në muze, një vlerë e shtuar në funksion të turizmit të qëndrueshëm.

“Kulla e Isa Kurpalit” është në listën e trashëgimisë kulturore materiale të Qarkut Kukës dhe pasurive kulturore të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Shkodër.

Kulla e Isa Kurpalit, është ndërtuar në shekullin XIX. Objekti është një banesë me një arkitekturë karakteristike të zonës, me vlera historike. Kulla është një ndërtim 3 katësh me muraturë guri. Kati i parë ishte vendi i bagëtive, kati i dytë ishin ambientet e gatimit ku kanë qenë të ndërtuar qylerë për fjetjen e çifteve të reja, ndërsa në katin e sipërm ishin ambientet e pritjes së miqve.

Kulla fortifikatë e Kurpalëve, u ndërtua me qëllim në pikën strategjike të Qafës së Prushit, aty mes malesh ku nuk gjendej asnjë fortifikim tjetër. Projektimin e saj e bëri vetë strategu ushtarak Sulejman Vokshi, si një nevojë e domosdoshme e vetëmbrojtjes popullore, thuhet në analet historike./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme