27 Tetor, 2022 - 10:32 am
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë, njoftoi se ka përfunduar restaurimi i banesës së Beqo Zenunit, Monument Kulture i kategorisë së parë.
Sipas projektit të hartuar nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë dhe miratuar në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale, objekti iu nënshtrua disa ndërhyrjeve mirëmbajtëse e restauruese. Punimet konsistonin në konsolidimin e kreut të murit, rindërtimin e tavanit prej druri dhe zëvendësimin e trarëve dhe tjegullave, në çatinë e objektit.
Banesa e Beqo Zenunit, në Konispol, është njëri prej 40 aplikimeve që përfitojnë nga thirrja e Ministrisë së Kulturës, për përfitimin e skemës së bashkëfinancimit të projekteve të restaurimit, konsolidimit, rijetësimit, pas lidhjes së kontratave përkatëse me Ministrinë.
Ndërhyrjet e specialistëve të DRTK Vlorë ndikojnë drejtpërsëdrejti në ruajtjen dhe mbrojtjen e këtij monumenti por edhe të trashëgimisë kulturore e historike që mbart kjo banesë. /atsh / KultPlus.com