4 Tetor, 2022 - 3:30 pm
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Vlorë njoftoi nisjen e punimeve të restaurimit në kuadër të “Bonusit të rijetëzimit”.
Punimet kanë nisur në banesën e Beqo Zenunit, Monument Kulture, Kategoria I.
Prej rreth 40 përfituesve në gjithë Shqipërinë, që përfituan nga thirrja e Ministrisë së Kulturës, për përfitimin e skemës së bashkëfinancimit të projekteve të restaurimit/konsolidimit/rijetëzimit, pas lidhjes së kontratave përkatëse me Ministrinë, tashmë ka filluar edhe faza e zbatimit të punimeve në terren.
Projekti i hartuar nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë dhe i miratuar në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale, konsiston kryesisht në ndërhyrje për çatinë e banesës, çmontimin e saj, konsolidimin e kreut të murit, rindërtimin e tavanit prej druri, zëvendësimin e trarëve dhe tjegullave, ndërhyrje të cilat, ndikojnë drejtpërsëdrejti në ruajtjen dhe mbrojtjen e këtij monumenti por edhe të trashëgimisë kulturore e historike që mbart kjo banesë./ atsh / KultPlus.com