16 Nëntor, 2018 - 2:00 pm
Shqipëria vazhdon të surprizojë dhe në këto ditë nëntori me turistë të shumtë vendas dhe të huaj.
Vendi ynë po promovohet çdo herë e më shumë dhe nga të huajt, pasi ofron një turizëm gjjithëvjetor dhe të larmishëm, ku turistët mund të gjejnë në të katër stinët vende ideale për tu eksploruar që Shqipëria ofron.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi është shprehur për nëntorin turistik në vendin tonë se, “1000 turistë brenda javës së parë të nëntorit kanë vizituar Parkun Kombëtar të Thethit duke e çuar në më shumë se 72 mijë vizitorë vendas dhe të huaj numrin e turistëve gjatë 3 muajve të fundit. Pjesa më e madhe e turistëve të huaj kanë qenë nga Çekia, Gjermania, Anglia, Franca dhe Zvicra. Qendra e re e vizitorëve, padyshim që ofron një mbështetje për guidat dhe udhëtarët që duan të eksplorojnë bukuritë e Alpeve Shqiptare”.
Alpet shqiptare dhe bukuritë natyrore që të ofron zona e Thethit, tërheqin gjithnjë edhe më shumë vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj, të cilët shijojnë momentet e qetësisë, ujin dhe ajrin e pastër që e karakterizon këtë zonë.
Parku Kombëtar i Thethit ndodhet në pjesën qendrore të Alpeve të Shqipërisë, ndërmjet bllokut të Bjeshkëve të Nëmuna në perëndim dhe bllokut të Jezercës në lindje. Thethi është një qendër turistike-alpinistike që ka njohur rritje të numrit të vizitorëve gjatë viteve të fundit.
Parku është kompleks, me larmi habitatesh dhe tipe vegjetacioni, ku pjesën më të madhe e zënë ato të pyjeve të ahut, të cilat bashkëshoqërohen dhe me shkurre xhuxhe dhe të zonave alpine.
Në park rriten rreth 1500 lloje bimësh, të cilat përfaqësojnë gati gjysmën e florës së vendit tonë. Nga bimët, rreth 100 lloje janë bimë mjekësore dhe tanifere shumë të dobishme. / KultPlus.com