25 Nëntor, 2017 - 3:11 pm
Për herë të parë, Shqipëria po merr pjesë në një nga Panairet më të mëdha të Krishtlindjeve “Winter Pret -Christmas Market” i cili zhvillohet në Bruksel, në datat 24 Nëntor deri me 31 dhjetor 2017.
Në ceremoninë zyrtare të hapjes së këtij eventi, mori pjesë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Brukselit, Philip Closse.
Veliaj tha se kjo është një mundësi fantastike, që shërben si kartolinë e bukur për kryeqytetin dhe Shqipërinë në sytë e vizitorëve dhe të investitorëve.
Ai tha se sot shqiptarët kanë një detyrë historike për të treguar vlerat më të mira të vendit tonë dhe shprehu bindjen se marrëdhëniet që do të krijohen në këtë panair mes njerëzve, janë ato që na bëjnë realisht europianë.
Veliaj falenderoi dhe ambasadën tonë në Bruksel dhe organizatat e ndryshme që veprojnë në diasporë për mbështetjen dhe përpjekjet e tyre në këto vite për ruajtjen dhe përcjelljen tek brezi i ri të kulturës dhe të traditave të vendit tonë.
Kryetari i Bashkisë së Brukselit, Philip Closse e cilësoi vendin tonë dhe Tiranën, kryeqytetin e shqiptarëve, si të ftuarit e nderit të këtij edicioni të panairit “Winter Pret”.
Më herët, kryebashkiaku Veliaj u prit në zyrën e tij nga homologu i tij, Philip Closse, ku biseduan rreth shtimit të marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit mes dy qyteteve, si dhe realizimit të projekteve të përbashkëta. Në shenjë mirënjohje dhe vlerësimi për kontributin e dhënë për mbështetjen e shqiptarëve që jetojnë atje, Veliaj i dhuroi homologut të tij belg, Kullën e Sahatit të Tiranës.
Panairi i Brukselit është një nga më të mëdhenjtë në Europë, që vizitohet çdo vit nga më shumë se 2.000.000 vizitorë nga e gjithë bota.
Shqipëria do të përfaqësohet me një seri aktivitetesh si Konferenca Ndërkombëtare “Tiranë – Bruksel, rrugëtimi historik i shqiptarëve”; takimeve dypalëshe midis përfaqësuesve të biznesit shqiptar dhe atyre europianë; vendosje të marrëdhënieve bashkëpunuese midis operatorëve turistikë shqiptarë dhe europianë, si dhe një seri eventesh dhe programesh artistike-kulturore. / KultPlus.com