28 Prill, 2024 - 1:00 pm
Ikona “Hyrja e Hyjlindëses në tempull” ndodhet në Kishën “Ungjëllizimi” në Berat. Ikona është pikturuar nga Onufri në shekullin XVI.
Muzeu Historik Kombëtar përcolli informacione me vlerë për këtë ikonë e cila është punuar në tempera mbi dru dhe ka përmasa 54 x 34 cm.
Ekspertët sqarojnë se shkrimi i Shenjtë nuk e përshkruan lindjen e Shën Mërisë; prandaj Onufri e ka marrë tematikën e ikonës nga tekstet apokrife.
Këto tekste na japin të dhëna rreth viteve të fëmijërisë së Hyjlindëses, të cilat nuk përmenden në ungjijtë kanonikë.
Kur mbushi tre vjeç, prindërit e çuan Shën Mërinë në Tempull, që të rritej dhe të edukohej atje, për të përmbushur premtimin, që i patën dhënë Perëndisë.
Në ikonë paraqitet Joakimi dhe Ana së bashku me një grup virgjëreshash. Shën Mëria pritet në Tempull nga kryeprifti Zakaria. Ajo ka qëndruar në tempull dymbëdhjetë vjet. Në pjesën e sipërme të ikonës paraqitet Shën Mëria, ku merr ushqimin hyjnor nga një engjëll./ KultPlus.com