CHwB Kosova, sjellë debat publik dhe promovim libri për “Hapësirat e braktisura të Kosovës”

14 Mars, 2018 - 2:30 pm

CHwB Kosova më 20 mars mban debatin publik “Hapësirat e braktisura të Kosovës” në Parkun Arkeologjik- Lapidariumi i Muzeut të Kosovës (përball Muzeut Kombëtar), duke filluar nga ora 18:00, shkruan KultPlus.

Ndërtesat apo monumentet e ndryshme që i kanë rezistuar kohës janë reprezentime materiale kulturore të një shoqërie, të cilat përveç tjerash i shërbejnë vazhdimisht kujtesës kolektive, ofrojnë një narrativë të përbashkët për të kaluarën dhe i kontribuojnë identitetit kolektiv.
Gjatë vitit 2017, CHwB Kosova ka identifikuar 262 ndërtesa të pashfrytëzuara nëpër vende të ndryshme të Kosovës, të cilat janë pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore nën mbrojtje. Ato janë shtëpi tradicionale, salla të kulturës, ndërtesa industriale, kulla dhe përmbajtje të tjera ndërtimore të cilat dikur i shërbenin familjeve, komuniteteve dhe shoqërisë. Fati, kuptimi dhe roli i tyre përcaktohet nga faktor të ndryshëm siç janë zhvillimi i përgjithshëm shoqëror, luftërat, sistemi i ri politik, ndryshimi i sistemit vleror, interesat politike dhe ekonomike, neglizhenca shtetërore dhe e shoqërisë në përgjithësi.

Pse braktisen ndërtesat? A mund të ri-jetësohen këto hapësira që të ngjallin interes publik dhe të ofrojnë platformë për debat publik mbi kulturën e shoqërinë? Si janë procedurat administrative që duhen ndjekur nëse ka interes për shfrytëzimin e këtyre hapësirave? Si qëndron roli i institucioneve relevante dhe shoqërisë në mbrojtën e këtyre hapësirave? A mundet që këto ndërtesa të bëhen sërish pjesë e jetës urbane? Si qëndron ideologjia politike karshi këtyre ndërtesave?
Këto janë disa nga çështjet që do të trajtohen përgjatë debatit të cilin do ta pasurojnë panelistët e ftuar siç janë:

• Arbër Sadiki, arkitekt
• Linda Gusia, sociologe
• Rina Kika, Termokiss/avokate
• Shkëlzen Gashi, publicist
• Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore, MKRS
• Yll Rugova, drejtor i Departamentit të Kulturës në Komunën e Prishtinës

Debati do të moderohet nga Eliza Hoxha.

Në kuadër të debatit, do të promovohet edhe libri “Hapësirat e braktisura të Kosovës- 50 tregime të një bote të harruar”, nga CHwB Kosova./ KultPlus.com

Të ngjajshme