CHwB: Projekti për sallë koncertale t’i qëndrojë besnik parimeve bazë të ruajtjes dhe adaptimit të monumenteve

15 Mars, 2021 - 4:00 pm

Në ndërtesën e vjetër të komunës së Prishtinës pasditen e së premtes është mbajtur konferencë për media ku u prezantuan projektet ideore të konkursit për projektimin e sallës koncertale. Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti ndër të tjera në konferencë ka folur rreth diskutimit të tij me arkitektët sa i përket projektit për objektin ish “Gërmia” duke potencuar se “ideja ka qenë që të ruhet sa më shumë identiteti dhe memoria sikurse në shumë qytete të Evropës, të ruhet trashëgimia kulturore, por që të mund të përdoret për kohët moderne”.

Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe Fondacioni Kosovar Trashëgimia Kulturore pa kufij  (CHwB Kosova) e cila është e përkushtuar për shpëtimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore, të prekur nga konfliktet, neglizhenca apo fatkeqësitë natyrore ku ndër të tjera ka theksuar rolin e objektit të ish “Gërmisë” si një nga ndërtesat më të rëndësishme të Prishtinës të ndërtuara pas Luftës së Dytë Botërore. Njëherësh ata kanë kërkuar nga Komuna e Prishtinës që i përzgjedhuri i konkursit për projektimin dhe adaptimin e kompleksit ish “Gërmia” për sallë koncertale t’i qëndrojë besnik parimeve bazë të ruajtjes dhe adaptimit të monumenteve.

KultPlus ju sjell statusin e plotë të CHwB Kosova

Reagim i CHwB Kosova mbi Konkursin e Sallës Koncertale – ish ndërtesa e Gërmisë. Duke i përcjellë zhvillimet e fundit rreth konkursit të organizuar nga Komuna e Prishtinës për projektimin dhe adaptimin e kompleksit ish Gërmia për sallë koncertale, e sheh të arsyeshme që me opinionin publik ti ndajë disa pikëpamje me rëndësi. Ashtu si edhe është cekur në letrën e ICOMOS, përkatësisht Komiteti Shkencor Ndërkombëtar për Trashëgiminë Kulturore të Shekullit 20 (ISC20C), drejtuar Kryetarit të Prishtinës Z. Shpend Ahmeti me datë 10 Mars 2019, Gërmia përfaqëson një nga ndërtesat më të rëndësishme të Prishtinës së ndërtuar gjatë viteve të pasluftës së Dytë Botërore. Është një nga shembujt e paktë të trashëgimisë moderne të qytetit por mjaft domethënës për vlerat e saja arkitektonike dhe shoqërore, prandaj edhe duhet të ruhet si e tillë. Megjithëse ka pësuar disa ndryshime fatkeqe në të kaluarën, këto lehtë mund të përmirësohen dhe integriteti i saj arkitektonik të rikthehet. Praktika aktuale e qëndrueshme gjithmonë përpiqet të ruajë, rehabilitojë dhe ripërdorë në mënyrë adaptive strukturat e rëndësishme historike në vend që t’i shkatërrojë dhe zëvendësojë ato. Gërmia lehtë mund të rizhvillohet si një aset kulturor për qytetin dhe të paraqesë këtë periudhë të rëndësishme të historisë së Prishtinës dhe Kosovës për brezat e ardhshëm. Në anën tjetër, vlerësojmë se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të duhej të ishte më proaktive në rolin e saj si institucion kompetent në administrimin e aseteve të trashëgimisë kulturore. Këtë e bazojmë në faktin se, ndërtesa e ish Gërmisë është e përfshirë në Listën e Përkohshme të Mbrojtjes së Monumenteve tash e tre vite. Gjatë kësaj kohe ky aset nuk është futë në Listën e Përhershme të Mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, e që është detyrim ligjorë të bëhet në periudhë njëvjeçare pas përfshirjes në listë. Kësisoj do të përcaktoheshin vlerat e ndërtesës si dhe parimet bazë mbi të cilat monumenti do duhej të restaurohej dhe adaptohej, dhe se të gjitha aspektet me vlerë, që do të mund të ishin përtej fasadës dhe ruajtjes së saj, do të inkorporoheshin në detyrën projektuese të konkursit të organizuar nga Komuna e Prishtinës. Në këtë mënyrë qeverisja lokale do ta kishte edhe më të lehtë trajtimin e këtij monumenti. Andaj kërkojmë nga Komuna e Prishtinës në përzgjedhjen e fituesit të konkursit për projektimin dhe adaptimin e kompleksit ish Germia për sallë koncertale, ti qëndrojnë besnik parimeve bazë të ruajtjes dhe adaptimit të monumenteve. / KultPlus.com

Të ngjajshme