10 Qershor, 2018 - 2:50 pm
Sonte në Platonë e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, nga Kompania Coca Cola do të shtrohet një iftar, në shenjë të Muajit të Ramazanit, shhkruan KultPlus.
Pavarësisht prej thirrjeve të shumta që ceremonitë fetare të mbahen larg institucioneve shtetërore, kjo kompani, me leje të Rektoratit por edhe të Komunës së Prishtinës, sonte do të shtrojë një iftar për besimtarët mysliman.
Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës Fazli Gajraku ka thënë për KultPlus se për këtë çështje vetëm është njoftuar, por askush nuk ka kërkuar leje nga ai. Por lejen për këtë darkë e ka dhënë Rektorati në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës.
Në një emal të kompanisë Coca Cola drejtuar redaksisë së KultPlus është konfirmuar se një leje e tillë është dhënë nga Rektorati dhe Komuna e Prishtinës.
“Për 5 vitet e fundit, Coca-Cola ka organizuar darkë në Ramazan me qëllim për të mbledhur familje dhe miq, dhe të gjithë qytetarët tanë për të ndarë një vakt së bashku”, kanë thënë për KultPlus nga Kompania Coca Cola.
Ata më tutje kanë sqaruar se duke pasur parasysh numrin e pritur të njerëzve dhe të gjitha aktivitetet e planifikuara, vendndodhja për këtë darkë të posaçme u zgjodh në bashkëpunim të ngushtë me Komunën e Prishtinës për të qenë hapësira përpara Bibliotekës Kombëtare.
“Ky vendim u miratua zyrtarisht nga sektori i shërbimit publik të Komunës së Prishtinës, si dhe nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës. Ne jemi shumë krenarë që Coca-Cola po e numëron ngjarjen e 21-të të këtij lloji në të gjithë Kosovën, me më shumë se 30,000 njerëz që u mblodhën për të ndarë së bashku dhe shijuar darkën tonë “Coke and meal” në Ramazan. Ne shpresojmë se do të kemi shumë mundësi në vitet që vijnë për të organizuar ngjarje të ngjashme ku mund të sjellim gëzim dhe lumturi për qytetarët e Kosovës”, kanë thënë nga Kompania Coca Cola.
Për këtë vendim të Rektoratit dhe Komunës së Prishtinës, redaksia e KultPlus nuk ka arrit të mësojë nga këto institucione se pse kanë dhënë një leje të tillë mu në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, kurse për këtë veprim historiani Jusuf Buxhovi ka thënë se ka kohë që shteti laik, i përcaktuar me kushtetutën e Republikës së Kosovës, po nëpërkëmbët nga ata që janë të thirrur ta mbrojnë: pushtetarët si dhe gjyqësori.
“Presidenti, kryetari i parlamentit, Kryeministri dhe liderët kryesor të partive politike, duke e thyer parimin e laicitetit, po i vardisën religjionit. Këtë e bëjnë për dy arsye: për përfitime materiale si dhe për sigurimin e klientelës nga xhamitë! Këto veprime, bëhen edhe më shqetësuese, kur prekin institucionet shtetërore, arsimore dhe kulturore”, ka thënë Buxhovi.
Sipas tij, nëse vazhdon kështu, mund të pritet që gjatë ramazanit të mbyllen edhe shkollat, të pushojë veprimtaria ekonomike me çka shteti laik do t’ia lëshonte vendin shtetit të sheriatit, ndërsa identieti kombëtar do të zëvendësohej me identiet fetar.
“Këtë ka kërkuar dikur Çubrilloviqi dhe ata që kanë bërë elaborate kundër shqiptarëve në mënyrë që ata me gjenocide të përjashtohen nga harta politike dhe shtetërore e Ballkanit me anatemën e “mbetjeve islamike”. Si historian mund të përseris maksimën e njohur: ata që nuk marrin mësim nga historia, ajo i denon poamëshirshëm! Ky dënim, do të shaqej si vetëndëshkim”, ka thënë Buxhovi.
Ndërkohë, për këtë darkë që do të shtrohet sonte në platonë e BKK-së, KultPlus ka provuar të merr një përgjigje edhe nga ministri i MKRS-së Kujtim Gashi, por i njëjti nuk ka dhënë ndonjë koment për këtë institucion që është në varësi të MKRS-së./KultPlus.com