9 Gusht, 2021 - 5:11 pm
Ardianë Pajaziti
Fshati Fishtë të ofron një pamje të rrafshët e me shumë gjelbërim, përderisa përshkon rrugën dhe të sjell magjinë e fshatrave të dikurshëm, si ato të përrallave.
Shtëpitë e vogla, rrethojat prej drurit, kafshë e shpezë të paktë nëpër oborret e shtëpive e plotësojnë panoramën e këtij fshati, përderisa je në kërkim të një mrekullie që ke lexuar shumë shpesh nëpër gazeta. Me shumë kureshtje pret se kur do të puqesh me shtëpinë e të gjithë shqiptarëve “Mrizi i Zanave”.
Shenjëzimet në rrugë, sinjalizonin se jemi afër, përderisa në makinë futet era e plehrave të kafshëve, dhe ishte shenja e fundit se je mu në zemër të Mrizit.
Disa lopë, dele, patat e shumta, një qen, një mace po formonin erën e fshatit që po hapnin mushkëritë e topitura prej betoni, dhe krejt kjo pamje të bën të hapësh mushkëritë, si me atë përshtypjen se je tu marr frymën e fundit.
Po kërkoja Altin Prengën. Një vajzë me një përparëse me moto “Think Globaly, Eat Locally”, më bën me gisht rreth Altinit.
Ai kishte marr pamjen e punëtorit më të shkallmuar prej krejt punëtorëve që ishin në turin e darkës, pasi që, një dyqan në hyrje të agroturizmit, një verandë e mbuluar me rrush, dy salla të ngrënies brenda restaurantit, një pjesë tjetër e shtrirë nën hijen e pemëve, bujtina që fshihet brenda Kullës së Arrnume, hektarët me vreshta, kantinat e verës, pjesa ku përgatiten djathërat, lëngu i shegës dhe shumë copëza të tjera që rrumbullakojnë “Mrizi i Zanave” marrin nga pak energji nga Prenga, që tashmë i ka vu vulën e një vendi të rrallë për turizmin shqiptar.
Afrohet i buzëqeshur me një gotë lëng shege, lëng mirëseardhje për klientët e këtij vendi, e që shijon shumë në atë buzëmbrëmje, që po fshihte rrezet e diellit ngadalë.
“Ushqimi më i mirë vjen nga katuni, nuk vjen ndryshe, vetëm katuni e bjen”, thotë Prenga, përderisa na sjell gotën e verës, që e kultivon me shumë dashuri, dhe për asnjë moment nuk i largon sytë, duke u siguruar se shija e verës njëmend është ajo që e ka ëndërruar.
“Kur e kam hapë restaurantin tem, pronarët e restauranteve tjera krenoheshin që nuk kanë birrë e venë shqiptare. E unë e kam thy këtë tabu, kam marr modelin italian e spanjoll, model që e kam përkthy në shqip, kam bo bashqen, kam bo vneshtat e kam bo kantinën. Tash, shumë restaurante mundohen me u furnizu nga ne”, thotë Prenga, i cili shton se në kohën kur e ka hapë restaurantin, lakrori është blerë vetëm në burektore, e Prenga është ai që e ka futë në mes të restaurantit.
“Ne jemi të lumtur, jemi krenarë për atë çka jem, pa na ardhë marre se kush jemi, pa të ardhë marre se je rritë me lakror, dhe këtë lakror e kam futë në menu para dhjetë vjete, atëherë nuk ishte normale që lakrori të ofrohej në restaurant”, thotë Prenga, i cili kujton vitet e 90-ta të Shqipërisë, atëherë kur kishte hyrë Coca Cola, Fanta e Jeans në Shqipëri, e pikërisht Prenga riktheu popullin në perimet, pemët, verën, djathin e shumë produkte tjera që i bëjnë katundarët e Fishtës e që rriten po në tokën e Fishtës, e edhe atë të Pukës.
Përderisa bëjmë shëtitje në vreshtë, në kantinë e në çdo cep të Mrizit të Zanave, mysafirët e tjerë po shijonin darkat e tyre, që sipas Prengës, në ato tryeza, vetëm kripa e sheqeri janë produkte që blihen, por jo edhe ushqimet e tjera që përgatiten me shumë përkushtim nga shumë punëtorë të fshatit.
“Kemi rrjet të bashkëpunimit me 400 familje të katunit, ku mbjellim perime që nuk janë normale për zonën tonë, kemi shtrirje të rrjetit, varësisht prej produktit deri në zonën e Pukës, dhe mbjellin ato perime që na mungojnë”, tregon Prenga, që prej këtyre shtëpive merr qumësht e perime, që të ofrojë aromën e kuzhinës shqiptare.
Prenga tregon se ka vetëm gjashtë lopë, e ai ka nevojë për mbi një mijë litra qumësht në ditë, dhe sjellja e qumështit tek Mrizi i Zanave është një melodi në vete, sepse, Prenga rrëfen se shumë prej fshatarëve kur sjellin qumështin, kthehen tek dyqani i vogël në hyrje të restaurantit dhe blejnë djathin e preferuar, djathi që është përgatitë pikërisht nga qumështi i lopëve të atyre fshatarëve.
Duke parë hapësira të ngjashme në Spanjë, Francë e Itali, e ku në këtë të fundit edhe ka marrë përvojën e mjeshtrit të kuzhinës, Prengës i shkëlqejnë sytë kur tregon për fillet e kësaj ëndrre të madhe, se si e imagjinonte Fishtën e tij në një tempull të kuzhinës shqiptare, në një tempull ku mund të bënte djathin tradicional, lëngun e sezonës, mishin që merret po nga zona, dhe krejt ky mund i katundarëve, më në fund të shpërblehej. Prenga shpjegon poashtu se qysh herët ka luftuar që të kultivojë kulturën se, rakia, vera e djathi duhet të blihet në lagje, e jo produkte industriale.
Dhe “Mrizi i Zanave” është “Mrizi i Zanave”, pikërisht për këto veçanti, që të hash drekën ose darkën në këtë vend, e prek jetën dhe mundin e fshatarëve me dorë, dhe se për një mund të tillë duhet të prenotosh shumë më herët. Dhe në këtë fshat, tashmë kanë zbritur shumë amerikanë, rus, francezë e italianë, por edhe në këtë pikë, Prenga mbetet Prengë. “Në radhë të parë jam krenarë kur shoh katunarët e mi duke hangër drekë ose darkë, janë katunarët e zonës tem, prapa tyre vijnë amerikanët, italianët e francezët”, thot Prenga, i cili shpjegon se nëse nuk do të ngritej ky tempull, kjo zonë do të ishte drejt braktisjes. “Nga ana patriotike, mendoj se kem sjell optimizëm, katunarët e kësaj zonë, janë heronjtë e fundit të këtij vendi”, thotë Prenga.
Dhe “Mrizi i Zanave”, nuk do të ishte ky që është, nëse nuk do të kishte traditën e familjes. I rritur në një familje të varfër, por ruajtëse të madhe të traditave, duke përfshirë edhe stërgjyshen e Prengës, si një ruajtëse e madhe e recetave shqiptare, pastaj babain e tij si kuzhinier në kohën e diktaturës, e që Prenga e mban mend edhe kohën se si futej në kuzhinën e babait dhe i jepte pilaf me kos.
38 vjeçari, që pikë të dobët ka kultivimin e verës, punë për të cilën u shpërblye edhe në nivel evropian, tregon se është i lumtur që i ka funksionuar mundi, dhe ishte i bindur me arrogancë se toka dhe dielli i Fishtës do ti sillte një shije të mirë verës që kultivohet tek “Mrizi i Zanave”, e që i ka vënë edhe emër shqip si: “kuVen”, “GeG” dhe “ara e Dardhës”.
Një fshatar që zgjohet me të gdhirë e që nuk e di asnjëherë se sa orë pune i bëhen brenda 24 orëve, tregon se krejt këto produkte kanë zinxhir familjen Prenga, që ndryshe, sipas tij, nuk do të bëheshin dot.
Dhe lidhja me tokën, diellin dhe rrënjët e Fishtës, për Prengën do të thotë shumë. Ai aktin më patriotik e quan ngulitjen e thellë të rrënjëve me tokën.
Dhe krejt këtë kulturë, këtë traditë me e sjell në kohë pa komplekse. Dhe përderisa afroheshim te Kulla e Arrnume, që është edhe e tipit të bujtinës për turistë, duket se pikërisht aty është mrizi, mrizaja e Fishtës.
Përderisa e shikon atë kullë të arrnume, që kishte gurë kushedi sa e sa vjet, Prenga tregon se është kullë e të parëve, që në të vërtetë ishte shtëpi e barinjve.
“Është “Kulla e Arrnume” ku jam rritë, në këtë kullë kam jetu për 15 vjet, deri në kohën kur edhe kam ikë për Itali. Ishte shpi çobanësh, shpi e një familje që kanë majtë bagëti” rrëfen Prenga, që sikurse kullën e fëmijërisë, edhe ushqimin, duke e ndërlidhë mes periudhave të ndryshme, bëri magjinë që ti sjell në kohë. “Pa komplekse se kush jemi, e qepëm traditën, me e harrnu me modernen, dhe e sollëm në kohë”, thot Prenga, i cili duket se nuk ka të sosur me ëndrra, sepse ëndrra e radhës është që të bëjë bashkë traditën e kuzhinës nga të gjitha viset shqiptare, duke bërë një ekspeditë në zonat e thella. Tashmë dy receta të arbëreshëve të Italisë i ka në menu, atë të makaronave, e ne përpjekje që të gjej edhe receta të tjera që aroma u vjen shqip.
Prenga që është sa në kuzhinë e sa në vreshtë, sa në kantinë e sa te përpunimi i djathit, arnimin mes traditës dhe modernes e ka bërë edhe me rrjetet sociale. Faqen e “Mrizi i Zanave” thotë se menaxhon vet, sepse, sipas tij ai ka një filozofi edhe për këtë çështje. “Edhe mjeshtëri më i madh i rrjeteve sociale nuk do të mund ta bënte punën e tij, sepse, askush nuk beson në punën time sikurse që besoj unë”, thot Prenga, i cili krejt në fund na ofron drejt tavolinës ku edhe na ishte servuar darka.
Me aromë shege, me aromë vere, me aromë të perimeve, e nën tingujt e pianos, po shijonim darkën e 400 familjeve të Fishtës.
At Gjergj Fishta në heshtje është kumbarë i këtij tempulli, që ka marr emrin nga vepra e tij “Mrizi i Zanave”, që tashmë nuk është mrizajë vetëm për fshatarët, por mrizajë e shumë shqiptarëve, dhe jo vetëm shqiptarëve./ KultPlus.com