16 Janar, 2021 - 9:07 am
E kujtojmë sot datëlindjen e Bajram Currit.
Më 16 janar 1862, në Gjakovë lindi patrioti dhe demokrati që çoi në çlirimin e kombit, Heroi Kombëtar, Bajram Curri. Ishte një nga organizatorët dhe udhëheqësit e Lidhjes së Pejës dhe një nga udhëheqësit kryesorë të Mbledhjes së Ferizajt.
Ai ndihmoi në ngritjen e shkollave shqipe në Kosovë, mbrojti alfabetin shqiptar të miratuar në Kongresin e Manastirit, mori pjesë dhe drejtoi Klubin “Bashkimi” në Shkup.
Bajram Curri ishte një luftëtar dhe udhëheqës në të gjitha lëvizjet dhe kryengritjet kundër pushtuesve osmanë në kryengritjet e malësisë së Shkodrës, në kryengritjen e armatosur të viteve 1910-1912. Pas vitit 1912, ai mbrojti shtetin shqiptar nga planet për copëtimin e saj dhe luftoi me armë për lirinë e Kosovës.
Bajram Curri nuk u pajtua me vendimet e Konferencës së Londrës të 1913 që lanë jashtë kufijve të shtetit shqiptar Kosovën dhe vise të tjera shqiptare dhe luftoi për bashkimin e tyre me atdheun. Në vitin 1913 qe një nga drejtuesit e kryengritjes së armatosur popullore në Kosovë kundër zgjedhës serbomalazeze.
Ai ishte udhëheqësi i komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Në Kongresin e Lushnjës, Bajram Curri u zgjodh Anëtar i Këshillit Kombëtar dhe u rendit krahas forcave demokratike të vendit. Ai ishte pranë Nolit dhe Demokratëve në Revolucionin e Qershorit. Bajram Curri u vra në shpellën Dragobia në vitin 1925. / KultPlus.com