Degradime misterioze në muzetë e Berlinit

22 Tetor, 2020 - 12:00 pm

Akte vandalizmi kundër dhjetëra veprave të artit janë kryer në fillim të tetorit, brenda një dite, në muzetë e njohur të Berlinit, ndërkohë që motivacioni i autorëve të tyre mbetet i panjohur, njoftoi sot policia berlineze. 

“Policia gjyqësore e Berlinit po heton për sa i përket dëmtimit të veprave të artit dhe artefakteve të ekspozuara në ‘Ishullin e Muzeve’ një grup prej pesë ndërtesash me koleksione prestigjioze”, theksoi një prej zëdhënësve të tij.

“Kjo ngjarje daton më 3 tetor, ditën e Ribashkimit gjerman. Disa të panjohur kanë derdhur një substancë vajore në muze gjatë orëve të hapjes pa e ditur askush akoma se si e bënë atë”, theksoi ai duke premtuar më shumë informacione lidhur me këtë çështje në orët e ardhshme.

Sipas një hetimi të publikuar sot në të përjavshmen “Die Zeit” dhe njoftuar nga radio  “Deutschlandfunk”, rreth 70 objekte janë degraduar, mes të cilave sarkofagë egjiptianë, skulptura prej guri dhe piktura që datojnë në shekullin XIX.

Substanca ka lënë njolla të dukshme në këto punime.

“Bëhet fjalë për sulm kundër veprave më të rëndësishme të artit që prej fundit të luftës së fundit botërore”, theksoi “Die Zeit”.

Motivacioni i këtyre autorëve mbetet ende i paqartë, sipas medias, ashtu si dhe fakti që nëse zgjedhja e ditës kur janë kryer veprimet ka apo jo një kuptim të veçantë.

Ishulli Muze i Berlinit, që ndodhet mes dy krahëve të Spree, lumit në zemër të kryeqytetit, ka bustin legjendar të Nefertitit dhe Altarin e Madh të Pergamonit, një monument i lashtë fetar.

Kompleksi, shumë i frekuentuar nga turistët, u klasifikuar në vitin 199 nga UNESCO si Trashëgimi Botërore e Njerëzimit./ atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme