Del në dritë tempulli 2500-vjeçar i Afroditës

8 Janar, 2021 - 4:57 pm

Kërkuesit që po gërmojnë në siujdhesën e Urla-Çeşmes në Turqinë perëndimore kanë zbuluar një tempull të shekullit të gjashtë para erës sonë kushtuar hyjneshës Afroditë.

“Afrodita ishte një kult goxha i njohur asokohe”, ka thënë për “Hürriyet Daily News”, udhëheqësja e ekipit Elif Koparal, arkeologe në Universitetin e Arteve të Bukura “Mimar Sinan”.

Ekipi ka zbuluar pjesë të statujës së një gruaje dhe një skulpturë terrakote të një koke femre, sikundër edhe një mbishkrim që thotë “Ky është një vend i shenjtë”.

“Nga gjetjet, ne kuptojmë se këtu duhet të ketë qenë një truall kulti për rajonin”, thotë Koparal.

Afrodita ishte hyjnesha e moçme greke e bukurisë, dashurisë dhe lindjes. Ndonjëherë, ajo asocionte edhe me lundrimin dhe luftën. Sipas Enciklopedisë Britannica, skulptura të hershme e paraqesin atë të veshur e mjaft të ngjashme me hyjneshat e tjera, por rreth shekullit të pestë para erës sonë, artistët nisën ta portretonin atë të zhveshur apo kryesisht nudo.

Shumë tempuj e faltore iu kushtuan kultit të saj, me vende të veçanta si në Qipro dhe në ishullin e Kitherës në brigjet jugore të Greqisë.

Qyteti i lashtë i Aphrodisias, një vend në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që ndodhet në juglindje të Urla-Çeşmes në Turqinë e sotme, ishte emërtuar sipas hyjneshës. Besimtarët ngritën aty një tempull të Afroditës në shekullin e tretë para erës sonë, duke e pasuar me ndërtimin e pjesës tjetër të qytetit, përfshirë teatrin dhe komplekset e banjave.

Siç raportojnë mediat shtetërore turke, Koparal dhe kolegët e saj kanë zbuluar shenjat e para të tempullit më 2016, kur po dokumentonin mbetjet e vendbanimeve të numërta në këtë trevë gjatë mijëvjeçarëve.

“Gjatë incizimit të sipërfaqes, ne pikasëm tempullin e Afroditës nga shekulli i gjashtë para Krishtit”, ka thënë Koparal. “…Është një zbulim ngazëllues dhe mbresëlënës”.

Që prej 2006-s, kërkuesit kanë zbuluar një total prej 35 vendbanimesh parahistorike me një hapësirë arkeologjike prej 17.220 katrorësh. Gjashtëmbëdhjetë prej tyre i takojnë periudhës së vonë të neolitit – e fundit pjesë e kohës së gurit.

Vendi ndodhet afër qytetit të Izmirit. I njohur dikur si Smyrna, metropoli ishte një prej qyteteve më të vjetra në rajonin e Mesdheut. Izmiri ka qenë një lokacion i rëndësishëm për njerëzit e këtyre hapësirave për të paktën 5 mijë vjet; mbetje qeramike tregojnë se forcat greke u vendosën aty rreth viteve 1000 para Krishtit.

Sipas “Hurriyetit”, kërkimi dokumenton lidhjet ekonomike e shoqërore mes njerëzve që jetonin në këtë rajon qysh 6 mijë vjet para lindjes së Krishtit. Gjetjet përfshijnë suka varrimi dhe guva që përdoreshin si vende të shenjta. Koparal thotë se ekipi po punonte me banorët vendës për t’i ruajtur gjetjet, që mund të përballen me kërcënime nga plaçkitësit dhe zhvillimi urban.

Afrodita nuk ishte e vetmja hyjneshë klasike që adhurohej në ato anë: vjeshtën e kaluar, siç njoftuan mediat turke, arkeologët që po gërmonin akropolisin e qytetit të Daskyleionit zbuluan një maskë 2.400 vjet të vjetër ku paraqitej Dionisi, zoti greko-romak i verës dhe ekstasisë. Adhuruesit e lashtë me gjasë përdornin maskën e terrakotës gjatë ritualeve të lidhura me bërjen e verës. /Koha/ KultPlus.com

Të ngjajshme