17 Shkurt, 2019 - 5:53 pm
Gili Hoxhaj
Luftën e fundit në Kosovë, lahutari dhe mjeshtri i lahutës Deli Gjonbalaj e konsideron si murtajë që e kishte shpërndarë gjithë familjen e tij. Para se të largoheshin nga shtëpia ku jetonin në Treboviç të Pejës, nga të gjitha gjërat e tij, ai ishte kujdesur fort që në duart e forcave serbe të mos binte edhe lahuta që ishte duke e punuar në atë kohë. E kishte mbështjellë mirë, dhe disa metra larg shtëpisë ku jetonte kishte vendosur që ta groposte nën dhe. Thotë se gati dy dekada pas, e ka përjetuar fort keq lajmin se Serbia e regjistroi “Të kënduarit me gusle” në listën e UNESCO-s, ndërsa mohon se instrumenti i lahutës ka ndonjë lidhje me Serbinë.
Bashkë me lahutën, ai kishte groposur edhe disa libra të tjerë, përfshirë Lahutën e Malësisë, kopertina e faqet e së cilës dëshmojnë se është goxha e vjetër. Deli Gjonbalaj kujton se këtë libër e kishte blerë në fillim të viteve të 80-ta, sa kishte qenë nxënës në shkollë të mesme, ndërsa thekson se në atë kohë nuk kishte qenë e lehtë ta siguronte këtë libër.
“N’tu ktheftë kush i gjen, su kthye le t’i ha dheu”, kishte thënë Gjonbalaj në atë kohë, duke qenë këmbëngulës që lahuta e punuar nga duart e tij, asesi të mos binte në duart e forcave serbe, shkruan KultPlus.
“Ka qenë mjaft emocionuese kur jam kthyer dhe e kam gjetur”, tregon lahutari Gjonbalaj, i cili pasi ishte kthyer nga lufta, kishte vazhduar ta përfundoj punën në lahutën e tij, me të cilën është prezantuar edhe në disa festivale të njohura.
Deli Gjonbalaj, tani 56 vjeçar është lindur dhe rritur në fshatin Vuthaj në Mal të Zi, mirëpo në vitin 1973, së bashku me familjen ishin larguar nga atje. Tani jeton në fshatin Treboviç, jo shumë larg qytetit të Pejës ku edhe punon si saldues i metaleve në një firmë private në këtë qytet. Këngët e rapsodëve shqiptarë nën tingujt e lahutës, dëgjohen në veturën e tij ndërsa kështu çdo ditë ato përcjellin edhe gjatë rrugës së shkurtër për në punë. Gjatë kohës sa jetonte në Vuthaj, këngët e tilla kishin qenë gjithnjë të pranishme në shtëpinë e tij por jo dhe instrumenti i lahutës. Ai thotë se dashurinë e fortë për të e kishte ndjerë kur e kishte prekur këtë instrument tek familja e nënës së tij dhe tek familja hallës. Deli Gjonbalaj qysh herët kishte nisur që të punojë vegla druri, të cilat kryesisht kanë qenë të dobishme për punët e përditshme në fshat. Mirëpo një ditë kishte vendosur që ta punojë lahutën, dhe që atëherë punën e gdhendjes së punimeve në të, e bën me shumë përkushtim, ani pse kërkesat për ta blerë janë gjithnjë e më të vogla. Pastaj duke e pasur të varur në dhomë, kishte filluar edhe të luajë në të, duke e përcjellë lojën me këngë të “Lahutës së Malësisë” që konsiderohet si kryevepra e At’ Gjergj Fishtës. Këtë veper, Fishta e nisi më 1905 dhe e mbaroi më 1937.
Gjonbalaj: Lahuta e Malësisë, një lloj Ku’rani i shqiptarëve
Varianti përfundimtar i veprës “Lahuta e Malësisë” krijoi një renditje të këngëve për të sugjeruar një kronologji të ngjarjeve që përfshijnë ndodhitë shqiptare nga gjysma e shekullit 19-të deri në Pavarësinë e Shqipërisë dhe Konferencën e Londrës më 1913.
Gjonbalaj në një intervistë për KultPlus tregoi se si e kishte blerë “Lahutën e Malësisë”, të cilën edhe sot e ruan dhe mjaft shpesh e shfleton. Sapo e kap në duar, nis dhe e lexon ndërsa gjatë rrugës së leximit me qartësi e deshifron çdo fjalë që e konsideron më vështirë të kuptueshme.
“Në atë kohë lahuta shpërndahej në mënyrë ilegale, unë e kam blerë në fillim të viteve të 80-a, nuk e di as vetë prej nga ka ardhur deri tek unë por më duket ka qenë e importuar nga Italia, dhe më kujtohet që e kam pas blerë 150 marka. Atëherë ka qenë e pamundur ta blesh drejtpërdrejt por është dashur që të gjesh lidhje përmes dikujt, pasi që kam mundur ta pësoj keq edhe unë që e kam blerë edhe ai që e ka shitur. Pra është shitur vetëm për njerëzit më të besueshëm”, tregon Gjonbalaj.
Ai thotë se gjithë lojën e tij në lahutë, e ka të përqendruar tek këngët e veprës së Fishtës “Lahuta e Malësisë”, të cilën për dy arsye e konsideron si libër të shenjtë për shqiptarët.
“Më së shumti jam fokusuar në këngët e Lahutës së Malësisë, pasi që kjo i ka këngët e zgjedhura. Ndoshta edhe nuk është shumë e përshtatshme që po e them por është si një lloj Kur’ani i shqiptarëve, sepse edhe ka këngë të mira por edhe fjalë të urëta”, shprehet Gjonbalaj
“Lahuta, pishtar në bazë të së cilës është shkruar historia”
Sapo hyn në dhomën e ndenjës së familjes Gjonbalaj, bije fort në sy lahuta në të cilën Gjonbalaj ka gdhendur portretin e Skënderbeut, shqiponjën, kokën e dhisë. Tutje ai për KultPlus, tregon për simbolikën e tyre.
“Tek lahuta shqiptare, si simbol e kanë pasur kokën e dhisë, sepse ka mbetur qysh prej Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, simbole të tjera konsiderohen edhe gjarpëri si roje e shtëpisë dhe simboli ynë i njohur i shqiponjës”, shpjegon ai.
Me këtë lahutë, Gjonbalaj para disa vitesh ishte prezantuar edhe në festivalin “Sofra Dardane” në Bajram Curr , me grupin nga Vuthaj “Maja e Karafilit”. Arta Dade, në atë kohë ministre e Kulturës në Shqipëri, pasi e kishte dëgjuar interpretimin me lahutë e kishte ftuar që ta shoh më për së afërmi lahutën.
“Unë po shoh edhe lahuta më profesionale në kuptimin e gdhendjes por kjo qenka taman lahutë shqiptare”, tregon Gjonbalaj, i cili thotë se kishte refuzuar edhe ofertën e grupit folklorik “Kabashi”, që kishin kërkuar ta blejnë atë për 5 mijë dollarë.
Gjonbalaj thotë se tani nuk ka edhe shumë energji për të punuar shumë gjatë në lahutë pasi që puna e gdhendjes në të kërkon goxha përkushtim. Por që jo dhe rrallë luan me të.
“Lahutës i bije, shpesh në gazmende familjare e ndonjëherë edhe në shtëpi” pohon ai.
Përveçse për qejf, ai thotë se lahuta shërben edhe për ta hequr mërzinë dhe nervozen, andaj thotë se me të drejtë ekziston shprehja se “vaji i burrit është kënga”.
“Përpara, tek shqiptarët, mirë kanë thënë se vaji i burri ashtë kanga. Ai jo që s’ka pasur dhimbje, por për t’i bërë ballë ia ka krisur këngës malësorçe. Kështu për ta luftuar dhimbjen”, shprehet lahutari për KultPlus.
Gjonbalaj thotë se lahuta ka qenë shumë e rëndësishme si përshkruese dhe bartëse e historisë tek shumë breza, pasi që këngët që përcillen me këtë instrument bartin ngjarje të rëndësishme të historisë.
“Lahuta ka qenë edhe si bartëse e historisë dhe pishtar në bazë të cilës është shkruar historia. Përmes saj janë kënduar trimat, këngët legjendare, Gjergj Elez Alia, Muja dhe Halili dhe luftërat e ndryshme të cilat kanë bartur edhe emrat e atyre që kanë qenë të përfshirë në luftë”, tregon tutje Gjonbalaj, shkruan KultPlus.
Gjonbalaj: Është tragjike që lahuta të jetë pjesë e kulturës së Serbisë
Vitin e kaluar shteti serb ka arritur që e instrumentin e Lahutës t’i regjistrojë si pjesë të kulturës së saj në UNESCO. Për Gjonbalajn ky lajm ka qenë tejet i dhimbshëm ndërsa thotë se institucionet kosovare dhe ato të Shqipërisë duhet të bëjnë më tepër në këtë aspekt.
“Është fort e dhimbshme, sepse e kemi trashëgimi prej miliona vjetësh, e me ardhë dikush i huaji duke thënë se është e jona dhe kjo pa kurrfarë baze. Tharmin mund ta marrin vetëm prej malazezëve me origjinë shqiptare. Kjo tragjike është boll dhe s’di si rrijnë duarkryq organet e dy shteteve”, thotë lahutari derisa ngrys vetullat, e ngrit zërin kur flet për këtë temë.
Në reagimet e institucioneve të kulturës në Shqipëri dhe Kosovë, shkruhet se lahuta si instrument muzikor, u takon edhe popujve të tjerë ballkanas, mirëpo Gjonbalaj për KultPlus, bindshëm mohon se lahuta ka ndonjë lidhje me shtetin serb.
“Serbët nuk e kanë lahutën, vetëm në Mal të Zi e kanë disa vise që kanë rrënjë shqiptare, si shaljanët që sot thirren shaliq, i ke gashjanët që sot thirren gashiq, kuqjanët atje edhe ata kanë qenë shqiptarë, gjysma që i janë kthyer fesë islame kanë mbetur shqiptarë, cka nuk e kanë pranuar turkun i janë mveshur Malit të Zi dhe janë bërë serb tani”, shpjegon ai.
Gjonbalaj shpreson që gjeneratat e reja duhet të kenë më shumë interesim për instrumentin e lahutës dhe në orët e muzikës duhet të mësohet më shumë për instrumentet popullore, qoftë edhe vetëm në rrafshin teorik.
“Lahuta për mua dhe mbarë popullin shqiptar është një instrument i vjetër i cili na i ka ruajtur shumë gjëra të historisë sepse janë përcjellur brez pas brezi, ka qenë qetësim edhe për shpirtin. Tani një fjali sillet në gjithë këngën kurse këngët me lahutë e çifteli kanë treguar një histori lidhur me një ngjarje, duke përfshirë mjaft personazhe pasi që një këngë lahutë nuk ka përfunduar me 5 minuta, ajo ka zgjatur më shumë se një orë ose dy”, u shpreh krejt në fund Gjonbalaj./ KultPlus.com