30 Qershor, 2018 - 10:12 pm
Xhamia një shekullore e fshatit Llugaxhi të Lipjanit, ka qenë cak i një sulmi në mbrëmjen mes të premtes dhe të shtunës.
Nga sulmi janë demoluar muret brendshme dhe pjesa e “hytbes”, raporton KTV.
Xhaminë, banorët thonë se e gjetën në këtë gjendje kur dolën për të falur sabahun.
Ata shtojnë se nuk e dinë se kush mund të jetë autor i sulmit.
Në polici, pa dhënë shume detaje, kanë thënë se janë duke hetuar rastin dhe sulmin ndaj xhamisë e kanë cilësuar si “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”
Megjithatë, banorët thonë se së fundmi, ka pasur mospajtime lidhur me një kërkesë për ndërtimin e një xhamie të re.
Sipas tyre, shumica duan xhami të re në lokacion tjetër – dhe ruajtjen e xhamisë së vjetër – të ndërtuar në vitin 1917 – e cila kishte shërbyer edhe si shkollë.
Ndërsa të tjerë duan rrëzimin e më pas ndërtimin e xhamisë në lokacionin aktual.
Për xhaminë e re, thonë se Komuna e Lipjanin kishte miratuar kërkesën për ndarjen e kësaj parcele afër shkollës – por i njëjti vendim është pezulluar përkohësisht.
Derisa shprehet i habitur me atë që ka ndodhur, imami i kësaj xhamie, Vehbi Gajtani, e dënon sulmin, që thotë se është incidenti i parë në 13 vjet sa ai fal namaz në Llugaxhi.
Ndërsa, pohon se shumica janë pajtuar për xhami në lokacion tjetër.
Teksa thotë fjalë të mira për fshatarët, ai thekson nevojën për një xhami të re.
Zëdhënësja e Komunës së Lipjanit, Bukurie Jashari, përmes telefonit ka thënë se vendimi për lokacionin e ri për ndërtimin e xhamisë është pezulluar deri në arritjen e pajtimit në mes banorëve.
Sipas banorëve, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka bërë vlerësimin e këtij objekti.
Televizioni ka provuar të marrë informacione për statusin e këtij objekti, por zyrtarë IKMM-së kanë qenë të paqasshëm të shtunën. / KultPlus.com