1 Dhjetor, 2019 - 9:58 am
Lëkundjet sizmike të 26 nëntorit dhe të ditëve në vijim shkaktuan dëmtime edhe në monumente kulture. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka inspektuar nga afër monumentet më të goditura, si Kalaja e Krujës, Kalaja e Prezës dhe muri bizantin në Durrës, për të evidentuar dëmet dhe marrë masat e duhura.
Ministrja Margarit shprehet se po bashkëpunon edhe me gjeologët për këto dëmtime, si dhe me ekspertë të huaj. “Nuk do të jetë e thjeshtë dhe do të kërkojë kohë. Kemi mobilizuar të gjitha forcat tona, po bashkëpunojmë me Institutin e Gjeologjisë dhe ekspertë të huaj” shprehet ministrja Margariti. Duke kërkuar mirëkuptim, ministrja e Kulturës Elva Margariti bën apel që të respektohet perimetri i sigurisë. “Njëkohësisht sot, pa humbur kohë, filloi rilevimi me dron i kalasë së Krujës. Gjithashtu përsëris duke kërkuar mirëkuptimin e kujtdo: respektoni perimetrin e sigurisë”, pohon ministrja e Kulturës.
Kalaja e Krujës, e njohur për vlerat e saj në trashëgiminë kulturore, është ngritur në një kodër shkëmbore. Kjo kala me trajtë eliptike dhe me perimetër 804 m, zë një sipërfaqe prej 2.5 ha tokë dhe është ngritur në një kodër shkëmbore. Gërmimet arkeologjike të vitit 1978 dëshmojnë se kodra ka qenë e banuar që në shek e III p.e.r. ndërsa kalaja është ngritur në shek. V-VI e.r.
Pranë saj është zbuluar një varrezë e madhe e kulturës arbërore. Përmendet me emrin e sotëm në shek e IX bashkë me qytetin e Krujës si qendër peshkopale. Në shek XIII-XIV ishte qendra e shtetit të Arbrit. Gjatë periudhës së Skënderbeut u bë krye-fortesa e qëndresës së shqiptarëve kundër pushtimit osman. Më herët, Ministria e Kulturës dhe Drejtoria e Kulturës Kombëtare Tiranë lajmëronin se hyrja në kalanë e Prezës dhe të Krujës është rreptësisht e ndaluar.
“Në radhë të parë për të garantuar jetën tuaj dhe për të mos dëmtuar më shumë monumentet”, thuhej në njoftimin e Ministrisë së Kulturës. Ministria gjithashtu shprehej se nuk mban përgjegjësi kush nuk zbaton këtë udhëzim. Ministria e Kulturës dhe Drejtoria e Kulturës Kombëtare Tiranë, nuk janë përgjegjëse për çdo pasojë nga thyerja e këtij udhëzimi. Ruajeni jetën tuaj. Ju falënderojmë për mirëkuptimin”, thuhej në njoftim. /sotnews/ KultPlus.com