20 Korrik, 2023 - 4:20 pm
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ndau të tjera detaje mbi zbulimin e fundit të arkeologëve, në Lin të Pogradecit.
Stafi shqiptaro-zviceran, drejtuar nga arkeologët Adrian Anastasi dhe Albert Hafner po zhvillojnë një ekspeditë kërkimore arkeologjike.
Kjo ekspeditë ka nisur prej vitit 2021 dhe po zhvillohet në tre shtete Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Greqi, por tanimë fokusi është përqëndruar në sitin e Linit nga vijnë edhe rezultatet e para, të cilat do të plotësohen me përmbylljen e gërmimeve të këtij viti.
Sipas specialistëve, mbështetur mbi dijet e deritanishme vendbanimet palafite bregliqenore në Lin, janë më të vjetrat në Europë dhe ky burim informacioni konsiderohet si një ndër më të rëndësishmet në llojin e vet në rang botëror.
Sipas raportit të hartuar nga Anastasi e Hafner, materialet organike drusore të zbuluara në sitet nënujore ose të mbuluara me sediment në Liqenin e Ohrit apo në bregun e liqenit, dëshmojnë për një vendbanim të hershëm fermerësh që daton rreth 5900- 5800 para Krishtit.
Analizat me metodën e radiokarbonit po kryhen në Laboratorin C14 në Universitetin e Bernës, që është një nga partnerët në këto kërkime, së bashku me Institutin e Arkeologjisë, financuar nga Bashkimi Europian. / atsh / KultPlus.com