7 Janar, 2019 - 12:12 pm
Ditën e djeshme nënat gjakovare dhe qytetarët e Gjakovës kanë protestuar kundër ardhjes së një grupi njerëzish nga Serbia, e që për qytetarët e Gjakovës ata janë thjesht kriminelë të maskuar si pelegrinë që vijnë në territorin e tyre.
Dihet se Serbia ka vrarë njerëz edhe në Gjakovë, i cili mbetet ndër qytetet më të prekura në luftën e fundit në Kosovë.
Ferdane Qerkezi mbetet një prej personave që sapo t’i përmendet emri të ngjallë një ndjenjë dhimbjeje e trishtimi për fatin e trishtë të kësaj gruaje të fortë.
27 marsi i ’99-ës e la nënën Ferdane Qerkezi të vetme. Policia serbe atë ditë ia vrau pesë burrat e shtëpisë. Nga shtëpia e familjes Qerkezi u morën pa asnjë faj Halim Qerkezi me katër djemtë, Artanin, Armendin, Ardianin dhe Edmondin.
Tash e vetme, zonja Qerkezi shtëpinë e saj e ka kthyer në Muze. Ajo vështirë e gëlltit një kafshatë bukë në ditë, sepse për të ende s’ka qetësi. Ajo vazhdon e pret ndonjë lajm për burrat e shtëpisë së saj.
Nisur nga rrëfimi i nënës Ferdane, fotografi i njohur Artan Korenica pati realizuar një foto me shumë domethënie.
“Më mungon…”, është mbishkrimi që autori i ka lënë kësaj foto, në të cilën shihet nëna Ferdane e ulur në tavolinën e bukës në shtëpinë e saj, në të cilën janë të vëna gjashtë pjata, që simbolizojnë pritjen e pesë të munguarve në këtë shtëpi.
Faqja “Heroinat e Kosovës, ka shpërndarë sot fotografinë e Ferdane Qerkezit e ku sipër saj janë thurur edhe disa vargje që përshkruajnë dhimbjen e kësaj nënë për familjen e humbur.
– Pesë pjata shtrohen çdo mëngjes.
Avulli i gjellës djeg shpirtin e nënlokes.
Njeriu qenka më i fortë se guri !
Ooh, katër djem pret, pret t’i kthehet burri. /KultPlus.com