20 Prill, 2019 - 5:50 pm
Dhërmiu, fshati i 30 kishave monument kulture të kategorisë së parë në bashkinë e Himarës, i vendosur buzë detit Jon dhe në shpatet e maleve, midis gjelbërimit të ullinjve dhe agrumeve të shumta po rilind falë investimeve që po kryhen.
Restaurimet e shtëpive të fshatit bëhen në kuadër të projekteve të integruara që Fondi Shqiptar i Zhvillimit po zbaton në bashkinë Himarë me financim të qeverisë shqiptare dhe Bankës së Këshillit të Evropës.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit bën të ditur sot se “shtëpitë e lëna pas dore po rehabilitohen në pjesën më të madhe të tyre për t’i shtuar ofertës turistike të detit dhe plazheve edhe trashëgiminë kulturore”.
Ndërsa kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, bën të ditur për ATSH-në se “sipas të dhënave nga kompanitë përkatëse të zbatimit që implementojnë në terren dhe nga përfaqësues të Fondit Shqiptar të Zhvillimit deri tani janë restauruar 230 shtëpi në Dhërmi”.
Sipas tij, projekti pritet të përfundojë në fund të muajit maj të këtij viti.
Lidhur me ecurinë e punimeve edhe në qendrën historike të këtij fshati, Goro tha se “nga informacionet e marra nga firma e zbatimit dhe supervizori përfaqësues i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, i cili është në rolin e investitorit dhe bashkia Himarë si përfituese e këtij projekti, punimet po ecin shumë mirë dhe pritet që edhe këto punime të përfundojnë në fund të muajit maj. Punimet e ngelura përfshihen në zonat jashtë qendrës historike dhe janë relativisht te pakta ku pritet te realizohen plotësisht”.
Ky projekt i veçantë në llojin e vet për restaurimin e fshatrave turistikë, ka për qëllim të rikthejë vlerat historike dhe kulturore të Dhërmiut dhe kthimin e tyre në produkt turistik të zonës, krahas plazheve të mrekullueshme.
Dhërmiu shtrihet në fund të një plazhi më tepër së pesë kilometra të gjatë, plazh i cili përfundon më një kodër, mbi të cilën ngrihet manastiri i Shën Theodhorit.
Fshati përbëhet nga tre lagje: Kondraqa, apo Kallami që është lagja e parë për ata që vijnë nga Llogoraja; vijuar nga Gjileku dhe Dhërmiu – lagja e tretë dhe më e madhja që i ka dhënë edhe emrin fshatit.
Në total, tërë fshati ka rreth 600 shtëpi, ku rreth 300 janë në Dhërmi, 150 në Gjilek dhe 150 në Kondraq. Fshati i Dhërmiut ndodhët 52 km në Jug të Vlorës, 72 km në veri të Sarandës dhe rreth 210 km nga kryeqyteti i Tiranës.
Nga ana administrative Dhërmiu bën pjesë në bashkinë e Himarës, rrethi i Vlorës./ATSH/ KultPlus.com