18 Shtator, 2021 - 6:00 pm
Studimi i historisë së familjeve fisnike shqiptare që kishin lënë atdheun dhe ishin vendosur në qytetet bregdetare të Adriatikut, paraqet një sfidë me shumë të papritura për studiuesin dhe historianin, me befasi të këndshme dhe me shtimin e kureshtjes për një njohje sa më të thellë e për disa që e kërkojnë identitetin te rrënjët historike madje edhe një lloj krenarie për të qenët pasardhës të tyre.
Për shumë nga këto familje as që dihet e as që është shkruar ndonjëherë. Pa të drejtë ato kanë mbetur të mbuluara me pluhurin e harresës, duke qëndruar në heshtje, duke pritur me shpresën e shekujve se një ditë do të shkunden pluhurat nga gjithë ato histori të mbyllura në arkiva e biblioteka, plot me fragmente ngjarjesh, por edhe titujsh fisnikërie e shkence, shkëlqim në hierarkinë kishtare, tregti e ekonomi, arte luftarake e njohje të shkëlqyeshme të së drejtës ndërkombëtare – avokati – e shumë e shumë sfera të tjera.
Arkivat e qyteteve të sotme dalmatinase, “Komunave” të dikurshme mesjetare, ruajnë me kujdes një lëndë burimore-dokumentare shumë të pasur dhe të vëllimshme për historinë e popullit shqiptar, por ka edhe një veçori tjetër se po në këto arkiva, ruhen dokumente, dorëshkrime, stema, gjenealogji dhe material tjetër shumë i vlefshëm për familje të shquara shqiptare me shtetësi të këtyre komunave, që ata shekuj më parë, por edhe sot, i konsideronte të tyret, krenohej me ta, e rrallë herë ndonjëri syresh shënon se kjo ose ajo familje ishte me origjinë shqiptare ose vinte nga Drishti, Shkodra, Lezha, Danja apo Sapa, Durrësi, Vlora apo Vregu… etj.
Në Arkivin Historik të qytetit të Zarës ruhen shumë dokumente jo vetëm për njërën prej kolonive më karakteristike dhe më në zë shqiptare – Arbneshin (Borgo Erizzo, Arbanasi) por edhe për familje fisnike të tjera shqiptare që jetuan në këtë qytet, si Albanese, Bardhi, Bruti, Dukagjini, Dushmani, Gjergji, Gjini, Kamsi, Kruta, Lindi, Mesili, Progoni, Skarpa, Skura, Spani, Shtjefni, Zguri, (ne i cituam sipas radhës alfabetike të këto familje për të cilat ruhen dokumente pranë arkivit të cekur) etj.
Duke studiuar historinë e këtyre familje fisnike shqiptare, ne kësaj radhe jemi përqendruar te familja Kruta, për t’u njohur me historinë e saj, origjinën dhe pinjollët që bënë emër dhe u nderuan jo vetëm në Shqipëri por edhe në “atdheun e dytë” Zarën e “tyre të dashur” siç e shkruajnë ata vetë në dokumente të kohës.
Rreth origjinës dhe lashtësisë së kësaj familje fisnike shqiptare ekzistojnë disa të dhëna fragmentare. Më të sakta janë shënimet për vendndodhjen e saj në Shqipërinë e Veriut që i gjejmë në “Kadastrin e Shkodrës”. Aty shënohet se familja Kruta jeton në fshatin Kakariq dhe Krute.
Në Kakariq në vitin 1416 kryefamiljar është Gjergj Kruta, ndërsa në Krutë si kryefamiljarë shënohen: Gjergji, Toma e Pali. Në Krutë si kryeplak të fshatit në vitin 1440 gjejmë sipas dokumenteve Ndre Krutën. Përveç këtyre dy fshatrave në territorin e Shkodrës, Lezhës dhe Ulqinit hasim edhe disa toponime të tjera Kruta të cilat duhet të kanë lidhje me familjen e madhe Kruta.
Në Zarë, kjo familje për herë të parë sipas dokumenteve që ruhen në Arkivin Historik të këtij qyteti, përmendet në vitin 1474. Është Pal Kruta (në origjinal Paul Cruta Albanese) ai që posedon një shtëpi afër kishës françeskane në Zarë, e dhënë kjo e nxjerrë sipas regjistrit të familjeve fisnike që jetonin në këtë qytet.
Kurse disa vite më vonë sipas një testamenti të ruajtur gjejmë edhe Margaritën vajzën e Nikë Krutës e cila është trashëgimtarja kryesore e pasurive të paluajtshme. Ajo duhet të kujdeset, gjithnjë sipas testamentit, që një pjesë e pasurisë së të atit Nikës, të shkonte te kushërinjtë e parë në Krutë të Shqipërisë.
Në vitet në vijim trungu i familjes së Krutajve rritet dhe ata i gjejmë në profesione të ndryshme si p.sh. udhëheqës të njësitit ushtarak të qytetit. Të tillë janë Ujk Kruta, pastaj Vlashi dhe Pali, të cilët këtë funksion e trashëgojnë njëri pas tjetrit. Jak Kruta bën emër si kapiten i barkave të armatosura pranë njësive të marinës detare të Republikës së Shën Markut (barche armate centro Uscochi) që luftonin kusarët në Adriatik.
SIMON KRUTA
Një figurë interesante është Simon Kruta. Për këtë fisnik shqiptar shumë gjëra i mësojmë nga testamenti i tij që ruhet në Arkivin e qytetit të Zarës, i cili është shkruar më 9 janar të vitit 1626, sa ishte gjallë Simoni dhe gëzonte shëndet, fizik e psikik të mirë. Simoni ishte i biri i Jak Krutës të lartcekur dhe ishte me origjinë nga Kakariqi.
Sipas regjistrit të qytetarëve fisnikë të qytetit të Zarës të asaj kohe, Simoni Kruta ishte kapiten në një njësit elite të marinës detare të Venedikut dhe kishte shtëpinë e tij me një kopsht në qendër të qytetit, afër katedrales. Për zbatimin e dëshirës së tij të fundit (sipas testamentit) Simoni kishte përcaktuar kryedhjakun e kishës së Ninit, të mirënjohurin dhe shumë të nderuarin át Mate Utivensin.
Një pjesë e mirë e pasurisë së Simonit ishte e shpërndarë tek persona të ndryshëm kryesisht shqiptarë dhe zbatuesi i testamenti duhej të kujdesej që ato borxhe të shlyheshin dhe të shkonin te personat e cekur në testament sipas dëshirës së Simon Krutës.
Për ne është shumë i rëndësishëm ky fakt sepse mund t’i bëjmë një analizë pozitës ekonomike, jo vetëm të Simon Krutës dhe familjes së tij, por edhe të shqiptarëve që jetonin e vepronin në Zarë, por që nuk i gjemë në burime e dokumente të tjera. Domenik Leka, p.sh. tregtar shqiptar i cili jetonte në Zarë i detyrohej Simonit 150 dukate.
Kur ai të shlyente këtë borxh, paratë duhej t’i dhuroheshin Marjetës (vajzës së të ndjerit Dhimitër Malsorit edhe ky shqiptar nga Shkodra), që ishte bashkëshortja e Simonit. Ndërsa Mateu (që ishte kroat) i cili jetonte në Biograd (afër Zarës) duhej të paguante 40 reale që kishte marrë për të siguruar grurë dhe gjëra të tjera të domosdoshme për furnizimin e familjes e Simonit, por që nuk kishte bërë asnjë veprim edhe përkundër obligimeve të marra.
Borxhin duhej t’ia kthente Marjetës. Këpucari shqiptar nga Drishti, Mate Pellushi duhej të shlyente borxhin prej pesë realësh për shkak se nuk kishte mbajtur premtimin për të punuar një çantë dhe tre palë këpucë burrash e një palë femrash. Kushëriri Jak Kruta (i riu) i cili jeton në Itali (nuk shënohet qyteti se ku jeton) duhet të shlyente borxhin prej 80 dukatesh, të cilat Simoni ia dhuron nipit Mhillit.
Vajzës Anjezës i le si trashëgim fermën me të tëra kafshët që ndodhet në Shën Filip e Jakob (San Filippo e Giacomo), e cila ishte dhënë me qira për tre vjet, Vuletë Kuzhinoviqit. Djalit, Ndreut, i len si trashëgim rrobat e tij të fisnikut dhe ato ushtarake.
Kurse armët që dispononte si ato luftarake personale dhe ato të trashëguara nga familjarët dhe të tjerat të marra si dhurata, një pjesë e të cilave ishin edhe të praruara në flori, duhej t’i ndanin së bashku i biri Ndreu dhe nipi Mhilli, që të dy pjesëtarë të njësive elite të marinës venedikase.
Si edhe në raste të tjera të testamenteve të shqiptarëve, edhe me këtë rast vihen re lidhje me atdheun – Shqipërinë – dhe pjesëtarët e familjes që jetonin. Simoni, tërë pasurinë e tij që ka në Shqipëri ia lë trashëgim të bijës, Marisë, e cila jeton atje në fshatin Kakariq, ku ka shtëpi, kopsht, disa ara dhe një vresht me hardhi rrushi.
Kurse gjithçka tjetër që ka krijuar ai vetë gjatë jetës së tij të ndershme, ia lë trashëgim të birit Ndreut. Në fund të testamentit është një shënim ku thuhet se bashkëshortja Marjeta trashëgon të gjitha të mirat e lartcekura, edhe pse ajo kur u martua me Simonin nuk kishte sjellë pajë, pasuri apo të mira tjera materiale (Nuk shënohen arsyet për një shënim të tillë, e as pozita ekonomike e Marjetës apo familjes saj e cila ishte nga Shkodra).
Nëse shikojmë me kujdes të dhënat nga testamenti i Simon Krutës, por edhe të tjera nga burimet arkivore, atëherë mund të kemi një renditje kronologjike të dhjetë brezave – përgjatë shekujve XV – XVII – nga viti 1476 kur përmendet për herë të parë Gjergj Kruta e deri në vitin 1693, si kufi i fundit i studimit dhe hulumtimit tonë në arkivin e qytetit të Zarës.
Në vijën gjenealogjike mashkullore janë Gjergji, Pali, Nika, Ujku, Vlashi, Pali (II), Jaku, Simoni, Ndreu dhe Françeksu, kurse një gjë e tillë nuk mund të ndiqet me siguri për linjën gjenealogjike femërore edhe pse shpesh përmenden në testamente apo raste të tjera.
MHILL KRUTA
Një emër tjetër që kishte reputacion të mirë si udhëheqës (guvernadur) ushtarak i distriktit të Zarës është Mhill Kruta që përveç funksionit të përmendur ushtronte edhe funksionin e gjyqtarit dhe administratorit të përgjithshëm për tërë distriktin. Në burimet arkivore të dhëna për të gjejmë që nga viti 1620 ku njëra pas tjetrës renditen sukseset, trimëritë, zotësitë dhe shkëlqimi në artin luftarak.
Ndërsa kulmin e karrierës së tij ushtarake Mhilli e arrin në vitet dyzet të shekullit XVII nën flamurin e Republikës së Shën Markut, ku guvernadur i njësiteve të armatosura të Zarës merr pjesë në luftën e Kandisë duke u shquar veçanërisht me njësitë e tij personale të ashtuquajturit Soldati Albanesi.
Në këtë njësit bënin pjesë: njësiti i kalorësve të lehtë dhe të shpejt shqiptarë, kalorësit klasikë dhe këmbësoria. Në disa raste ato quhen edhe: Cavalleria Albanese dhe Cappelletti. Ndërsa në shtator të vitit 1646, Mill Krutën si udhëheqës të njësisë elite shqiptare, sipas dokumenteve, e ndeshim në disa beteja të ashpra që u bënë në këtë kohë rreth qytetit të Zarës ku doli ngadhënjyes duke u shpërblyer ndër të tjera edhe me tituj nderi të kohës.
Një sukses të rëndësishëm si strateg ushtarak Mhilli tregoi nga 21 gushti deri më 15 shtator të vitit 1467, në mbrojtjen e qytetit të Shibenikut nga sulmet turke. Vlen të theksohet trimëria dhe zotësia që Mhilli së bashku me njësitë e tij treguan në mbrojtjen e lagjes së Shën Martinit të këtij qyteti, ku edhe pse të ekspozuar ndaj rrezikut të përhershëm ata dolën ngadhënjimtarë, por duke humbur 7 oficerë dhe rreth 40 pjesëtarë të njësitit të tij elitë.
Për një luftëtar guximtar dhe të suksesshëm është normale që të përfundojë jetën e tij në luftë. Kjo ndodhi edhe me Mëhill Krutën, i cili u vra në qytetin e Risanit afër Hercegnovit, më 12 shkurt të vitit 1649. Duke e nderuar dhe respektuar këtë personalitet dhe udhëheqës ushtarak shqiptar, në kronikat e kohës gjejmë këto shënime për Mhill Krutën: “uno dei’ migliori capi, e de’ più fruttuosi, che militassero in questa guerra in Dalmacia”.
Edhe pse emër i njohur i kohës së tij, ai është fare pak i njohur për ne: edhe më pak është e njohur jeta e tij private. Sipas testamentit të tij që ruhet në Arkivin Historik të Zarës (21 janar 1649) ai ishte i martuar me Marinë, një shqiptare nga Shkodra dhe kishte dy djem dhe një vajzë.
***
FRANÇESK KRUTA
Është shumë e vështirë të vendosësh se për cilin nga pjesëtarët e familjes fisnike shqiptare Kruta të shkruash. Dilemat janë të shumta, sepse pothuajse të gjithë meritojnë një vëmendje të veçantë, të gjithë meritojnë nder e respekt për veprimtarinë e tyre të shquar në fusha të ndryshme të jetës, por edhe njëkohësisht për kujdesin që tregojnë çdonjëri prej tyre për familjen e ngushtë e të gjerë si në Zarë ashtu edhe në Shqipëri.
Kësaj radhe, për shkak të dokumenteve të shumta por edhe burimeve të tjera jemi përcaktuar të shkruajmë vetëm për disa nga pjesëtarët e familjes Kruta që u shquan si ushtarakë dhe udhëheqës të zotë.
Njëri ndër më të shquarit, jo vetëm në Zarë, por edhe më gjerë, ishte Françesk Kruta, i biri i Leonardit nga Kakariqi, dukë e kalorës shumë i nderuar e i respektuar për kohën kur jetoi. Emrin e tij si kapiten i marinës venedikas e hasim në vitin 1669. Në shumë dokumente Franin e gjejmë si zbatues të testamenteve të ushtarëve të tij, kryesisht shqiptarë, por edhe kroatë, vllehë, italianë, etj.
Ashtu si dhe kushëriri i tij Mhilli edhe Françesku u shqua si strateg në luftën e Moresë. Në vitin 1687, guvernatori venedikas Antoni Zeno, njofton Senatin e venedikut për sulmin që iu bë qytetit të Duvnos, ku në mbrojtje të tij u shqua sidomos Françesk Kruta me njësinë e tij elite.
Në vitin 1684 ishte kapiten i anijes së flotës së marinës venedikase “Constanza Guerriera”, ku në afërsi të Palermos anija ju fundos e ai së bashku me 300 marinarët mezi shpëtoi gjallë. Në vitin 1689 në luftimet për Neretvën e Poshtme, Françesk Kruta ishte udhëheqës i 6.000 (gjashtë) mijë ushtarëve, kalorës e këmbësorë, të cilët ngadhënjyen mbi forcat turke të cilat ishin disa herë më të shumta në numër.
Pas kësaj fitoreje ai fitoi besimin e shumë të krishterëve, të cilët ai i shpërnguli dhe i vendosi në territorin nën sundimin venedikas që t’u shmangeshin plaçkitjeve dhe sulmeve të vazhdueshme turke. Sipas burimeve arkivore, Françesk Kruta drejtoi luftimet edhe në qytetet e Duvons, Livnës, Ljubushkos etj.
Në një kronikë të kohës e cila ruhet në dorëshkrim në Arkivin Historik të qytetit të Zarës (f. 190-191), autori át Gaspër Vinjaliqi sjell këtë dëshmi të vrasjes së Dukës e Kalorësit Françesk Kruta: “Me brigadën më me shumë se 5 mijë ushtarë me përbërje të përzier, shqiptarë, vllehë, kroatë dhe kalorësi venedikase, komandat Kruta depërtoi në thellësi të Bosnjës duke mbërritur deri në Berkoviq Podban Selashkiq në ndjekje të ushtrisë turke nga Oshtrovci deri në Banja Llukë.
Gjatë kësaj kohe ai i mposhti tri herë sulmet e ushtrisë turke. Mirëpo, turqve u erdhi në ndihmë Pashai i Bosnjës me një numër shumë të madh ushtarësh turq, kalorësish e këmbësorësh, të cilët sulmuan ushtrinë e komandant Krutës nga të gjitha anët. Duke parë rrezikun e humbjes, njëri prej vartësve të Krutës me një pjesë të vllehëve u tërhoqën në pyllin e afërt, duke i kërkuar edhe Krutës të bënte të njëjtin veprim.
Por ky duke qenë kokëfortë dhe trim i pafrikshëm nuk e pranoi një gjë të tillë dhe u ndesh me ushtrinë turke në fushëbetejë, që ishte një rrafshinë buzë një mali, ku kishin ikur vllehët. Kalorsit turq me forca të shumta sulmuan kalorësit venedikas. Përveç të tjerëve, në betejë u vra edhe komandanti dhe zëvendësi i tij, të dy shqiptarë.
Vllehtë duke vërejtur nga larg largimin e ushtrisë turke si fitimtare, kthehen në fushëbetejë dhe së bashku me pjesën e kalorësve që kishin shpëtuar, marrin trupat e shokëve të tyre të vrarë, duke mos lejuar që turqit t’i marrin ato dhe t’i gjymtojnë. Ata i varrosin të vdekurit, kurse të plagosurve u ofruan ndihmën e çastit.
Duke mos dashur që turqit të marrin vesh se ishte vrarë komandanti i tyre, vllehët, e tërhoqën mënjanë trupin e Françesk Krutës, i prenë kokën, e mbështjollën në lëkurë dhe e morën me vete për ta sjellë në Zarë. Kokën e varrosën në kishën e Shën Françeskut në Zarë, siç shihet edhe nga epitafi i varrit të tij”.
Sipas shënimeve në epitafin e varrit (ku është varrosur vetëm koka, sepse trupi ka mbetur në fushëbetejë) thuhet se Françesk Kruta u vra në fushëbetejë afër Uskopoljen në vitin 1693. Për shkak të rëndësisë si burim i dorës së parë, ne po sjellin fotografinë e epitafit të varrit të Françesk Krutës që sot lexohet me mjaft vështirësi për shkak të dëmtimeve të kohës.
TEKSTI I EPITAFIT TË FRAÇESK KRUTËS LATINISHT
FRANCISCI CRVTTE EQVITVM CROATOR[UM] DVCTORIS
AC INTER SEREN[ISSIMA]REIPVB[LICAE] CONDVCTOS
CAPVT HIC CONDITVR EXIMII MILITARIS INGENII SEDE[M]
AC LAVREATOS CINERES HOSPES VENERARE
INTER ARMA ET AD ARMA NATO TOTA VITA MILITA FUIT
TESTIBVS ITALIA GRETIA ET DALMAT[IA]
TANDEM ADVERSVS TVRCAS INTER VVSCOPIE MO[N]TES
IN PVGNA ET VICTORIA OÇVBVIT
RELIGIONI ET PRINCIPI QVIBVS VIXERAT FIDELITER DECESSIT
ET QVIB[]US OMN[EM] AETATE[M] MORTE[M] QVOQ[AE] FORTITER CONSECRAVIT
RAPVIT SORS SEPVLCRO CADAVER
SED TOTVS ORBIS ET TVMVLVS ET COELO IPSO CLAVDITVR
EMENDAVIT GLORIA FORTVNE INIVRIAM
STAT N. IM[M]ORTALIS HONOR VIRTVTIS SI NON CINERIS
NOLVIT TOTVS CONDI SEPVLCRO QVI TOTVS NO[N] MORITUR
QUIN. CV[M] VIRTUTE CADIT VITAM NON FINIT
ET MORS NON EXTITV[M] SED PRECLARV[M] OPVS EVADIT
ANNO DOMINI MDCXCIII
Përkthimi shqip i epitafit
Françesk Krutës Dukës e Kalorësit kroat
I renditur në mes të ushtarakëve të së shkëlqyerës Republikë
Këtu pushon koka e shquar për aftësi të jashtëzakonshme të artit luftarak
Me nderim vizitojmë hirin e shpirtit fitimtar
I lindur në luftë dhe tërë jeta e tij ishte luftë
Siç dëshmojnë Italia, Greqia e Dalmacia
Pastaj ka rënë në luftën dhe fitoren kundër turqve
Në kodrat e Uskopoljes
Besnik i sundimtarit të cilit i shërbeu me besnikëri tërë jetën derisa vdiq
Të cilit tërë jetën e tij ia përkushtoi me trimëri
Kufomën e tij varri ia rrëmbeu fatit
Tuma e varrit të tij e mbuluar është nga qielli siç e shikon e tërë bota
Fama ka vërshuar stuhitë e padrejta
Duke ju dhënë nderin e pavdekshmërisë jo hirit po virtytit
Nuk ka dashur në varr të fshihet sepse nuk ka vdekur i tëri
Sepse kush i virtytshëm vdes nuk e përfundon jetën
E vdekja nuk ka sjellur humbjen por lavdinë e veprës
Në vitin e Zotit 1693
Pllaka me epitafin për Françesk Krutën tani ndodhet në anën veriore të kishës së Shën Françeskut në Zarë, jo larg lterit (altarit) dhe është dëshmi e respektit të madh për të, sepse është e vendosur në një vend nderi si shenjë përkujtimi e nderi të përhershëm për veprën dhe trimërinë e këtij duke, e kalorësi shqiptar të shekullit XVII. Në këtë kishë janë varrosur figurat më të nderuara dhe luftëtarët më të shquar të rajonit.
Në përfundim të këtij shkrimi të shkurtër do të shtonim që historia e shqiptarëve në Diasporë është një fushë që kërkon fokus të veçantë. Edhe pse shkrime të tilla të shkurtra gazetareske sensibilizojnë opinionin e gjerë dhe studiuesit e mirëfilltë për pasurinë e arkivave në lidhje me shqiptarët, reputacionin dhe aktivitetin e tyre në diasporë, mbetet e nevojshme që studimet të thella shkencore të ndërmerren në këtë drejtim.
Familja Kruta me përfaqësuesit më të përmendur të saj që sollëm më lart është vetëm një ndër rastet e shumta të familjeve të tilla në Dalmaci. Të tilla familje me prejardhje shqiptare e me influencë lokale ka shumë dhe sa më shumë t’i studiojmë ato në mënyrë të mirëfilltë shkencore aq më shumë do të pasurojmë edhe botëkuptimin tonë për historinë e popullit shqiptar dhe të shkuarën e tij, jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por kudo që janë ndodhur.
Shkrimi u botua fillimisht në Suplementin Rilindasi në versionin print të gazetës Shqiptarja.com / KultPlus.com