14 Korrik, 2018 - 9:52 am
Një fragment i diplomës ushtarake prej bronzi me dimensione 15 me 12 me 0.2 centimetra e kishte gjetur z. Abedin Krosi, arsimtar i pedagogjisë në pension, mes viteve 1986 dhe 1990 rastësisht në fshatin Rashçë, Komuna e Sarajit, në rajonin e Shkupit, afër shkollës fillore të fshatit, në lokalitetin e quajtur “Ara e Shaban Likës”, shkruan sot Koha Ditore.
Prej kohës së gjetjes e deri tash e kishte ruajtur me xhelozi këtë gjetje në shtëpinë e tij familjare në të njëjtin fshat. Ky fragment me tekst në gjuhë latine të skalitur mbi të është vetëm një pjesë e diplomës ushtarake, e cila në origjinal duhej të ishte e përbërë nga dy pllaka të shpuara me nga tri vrima dhe të lidhura mes vete me tel.
Teksti me shkronja të madhësisë 7 milimetra, nuk është komplet dhe nga ai janë ruajtur 17 rreshta, është i skalitur në fushën e profiluar me shkronja të bukura kapitale në faqen e parë horizontalisht, ndërsa në anën tjetër, i njëjti tekst është shkruar në 14 rreshta (mungon një pjesë e tekstit) me shkronja më të thjeshta vertikalisht./KultPlus.com