23 Shkurt, 2018 - 12:00 pm
KultPlus ju sjellë disa pjesë të veshjeve popullore të cilat janë pjesë e Muzeut të Kosovës, si Marhama, Plisi, Opingat, Qilimi. Trashëgimia e luajtshme arkeologjike e Kosovës është dëshmia më mirë e pasurisë kulturore të vendit.
Marhamë- Është e endur në vek, e punuar nga pambuku dhe mëndafshi. Në dy skajet e gjerësisë së marhamës janë punuar zbukurime me qëndisje. Qëndisja është bërë me fije mëndafshi dhe fije ari, duke fituar motive të ndryshme floreale. Marhama të tilla kanë shërbyer për dekor. I përket shek shek. XX.
Plisi – është pjesë e veshjes tradicionale shqiptare për meshkuj. Vendoset në kokë dhe shpesh herë cilësohet si më i veçanti, pasi që ai përdoret vetëm ndër shqiptarë. Është i punuar nga leshi i delës nga zejtarë shqiptarë.
Opinga- punoheshin krejtësisht prej lëkurës së gjedheve. Më vonë dredhat e lëkurës , aty-këtu, filluan të zëvendësohen më ,, sixhima’’ dhe kështu filluan të përdoren opingat,, me ,,përkryesa’’ të cilat tipologjikisht nuk dallonin prej të parave. Dëshmitë më të hershme arkeologjike për opingat u përkasin shek IV-V para erës sonë dhe tregojnë se ato kanë qenë një element i kulturës ilire. Dëshmi të mëvonshme janë të shek XVI në disa vepra të Onufrit.
Qilim – i endur në vek prej fijeve të leshit, është i përbërë nga tri polla të barabarta. Ka një kolorit ngjyrash të ndryshme. Në tërë sipërfaqen e tij ka një ornamentik të pasur, në të cilin janë realizuar kryesisht motive të ndryshme gjeometrike. Është përdorur si shtroje për dhomë. I përket shek. XX.
Shokë burri- Pjesë e veshjes popullore, e punuar në vek. I përket shek.XX.
Shënim: Koleksioni Arkeologjik dhe Etnologjik i Kosovës( 676 eksponate arkeologjike dhe 571 eksponate etnologjike) vazhdon të mbahet në Serbi./ KultPlus.com