24 Nëntor, 2017 - 10:08 am
Të enjten amerikanët kremtojnë Ditën e Falënderimeve, një festë unike amerikane. Së bashku me familjen e miqtë ata shtrojë një darkë të veçantë, ku tradicionalisht serviret si pjatë kryesore gjeli i detit. Dita e Falënderimeve është edhe festa më familjare për amerikanët, kur brezat mblidhen për të shprehur falënderime për bekimet që u ka ofruar jeta.
Në Ditën e Falënderimeve presidenti Trump vlerësoi trupat amerikane jashtë vendit dhe i falënderoi ato për shërbimin ndaj vendit, ndërsa përmendi ato që ai i konsideron arritje personale si president, në mesazhin e festës që u transmetoi ushtarëve amerikanë në mbarë botën.
“E kam për nder të flas me ju dhe t’ju transmetoj falënderimet e mija për Zotin, që na ka dhënë bekimin e lirisë që ne gëzojmë dhe për heronjtë si ju që keni guximin për të na mbrojtur ne dhe lirinë tonë”, – tha Presidenti Trump në një telekonferencë që pati me përfaqësues të trupave të armatosura amerikane.
Presidenti po e kalon festën me familjen në e tij vilën Mar-a-Lago në Flroida.
Dita e Falënderimeve është një traditë e krijuar që në vitet e para të kolonizimit të Amerikës nga të bardhët, kur familjet që i kishin mbijetuar dimrit të egër, u mblodhën me fqinjët indigjenë për të shprehur mirënjohje dhe falënderime për jetën në tokën e re.
Kjo është edhe periudha më e ngarkuar e trafikut, pasi amerikanët nisen nga qytet ku punojnë e jetojnë nga çdo skaj i kontinentit për në komunitetet ku kanë familjet për t’u mbledhur për të festuar.
Kjo ditë shënohet gjithashtu nga ngjarje sportive dhe festime përfshirë një paradë në Nju Jork që po zhvillohet nën mbikëqyrjen e rreptë të autoriteteve.
Parada, me një pjesëmarrje prej rreth 200 mijë vetësh, vjen vetëm disa javë pasi një emigrant nga Uzbekistani sulmoi me një kamion të marrë me qera turmat e njerëzve që ndodheshin në një nga sheshet e njohur të qytetit, duke vrarë tetë prej tyre.
Ndërsa nuk ka informacion për ndonjë rrezik të mundshëm, departamenti i policisë së Nju Jorkut shpërndau me mijëra oficerë policie përgjatë rrugës së paradës.
Dita e Falënderimeve, që shënon fillimin e sezonit të festime me rastin e Krishtlindjeve, pasohet nga ajo që njihet si e “e premtja e zezë”, kur bizneset e shitblerjes ofrojnë uljet më të mëdha të çmimeve, dhe konsumatorët shfrytëzojnë rastin për të gjetur mallra me kosto të ulët, që nga veshjet, lodrat e deri tek pajisjet dhe orenditë shtëpiake./ KultPlus.com