8 Nëntor, 2024 - 3:45 pm
Në traditën e krishterë ortodokse sot festohet dita e Kryengjëjve Mikael e Gabriel, e njohur ndryshe si dita e Shën Mëhillit.
Me rastin e kësaj dite të shënuar, Muzeu “Onufri” zgjodhi të paraqesë nga koleksioni i tij, një nga ikonat ku paraqitet Kryengjëlli Mikael, ku për autor mendohet se është Onufër Qiprioti.
Kryengjëlli Mikael, si komandant i forcave qiellore, paraqitet në pozicion triumfues mbi një figurë që simbolizon armikun e kishës. I veshur me uniformën e luftëtarit, mban në të djathtë shpatën dhe në të majtë simbolin e trinititetit. Në sfond mbizotëron e arta dhe një brerore e inçizuar dhe e stilizuar artistikisht qëndron mbi kokën e tij.
Dhe Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë zgjodhi që këtë ditë ta kujtojë duke postuar në rrjetet sociale ikonën e Mbledhjes së Kryeengjëjve, vepër e vëllezërve korçarë Zografi, e që daton nga shekulli i 18-të.
Një numër i madh kishash në vendin tonë i kushtohen Shën Mëhillit. Ato gjenden kryesisht në Berat e qarkun e Korçës, por edhe në zona të komunitetit katolik./ KultPlus.com