28 Shtator, 2024 - 8:00 pm
29 shtatori shënon Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore.
Drejtoria Rajonale e Turizmit dhe Kulturës Shkodër, në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë, njofton se hyrja në Parqet Arkeologjike Shkodër-Lezhë është e lirë.
Parku Arkeologjik Shkodër, ka një sipërfaqe prej rreth 70 ha. Kalaja “Rozafa”, me një sipërfaqe prej 3.6 ha dhe një perimetër muresh rrethues prej 881 m, është objekti më i rëndësishëm i Parkut. Ajo dominon mbi një kodër shkëmbore ndërmjet lumenjve Drin dhe Buna, në hyrjen juglindore të qytetit të Shkodrës. Historia e ndërtimit të Kalasë së Rozafës ka kaluar në disa faza. Gjurmët antike të saj, teknika e mureve me blloqe poligonalë, ruhen pranë hyrjes kryesore dhe datojnë të shek. IV p.e.s. Kalaja kishte një rol të rëndësishëm si qendër e fortifikuar ilire gjatë periudhës së mbretit Ilir Genti në mesin e shek. II p.e.s. Historiani romak Tit Livi e quante Shkodrën vendin më të fortifikuar të fisit Ilir të Labeatëve.
Në mesjetë Kalaja njihet me emrin Rozafa, të cilin duhet ta ketë marre aty mes shek. V-VI-të. Ndër objektet më të spikatura monumentale dhe historike të kalasë veçojmë: Barbakanin në hyrje të Kalasë (Shek. XV), Kishën e Shën Stefanit ndërtuar që në shek. XIII e cila pas pushtimit osman u transformua në xhami, si dhe Kapitenerinë e periudhës Veneciane që sot shërben si Muzeu i Kështjellës. Kalaja u braktis përfundimisht në vitin 1865 nga administrata e qytetit. Në vitin 2010 u bë një rivlerësim i zonës arkeologjike dhe u evidentuan 2 zona, A dhe B, sipas rëndësisë të cilat u miratuan së bashku me rregulloren përkatëse me VKM Nr.429, dt. 28.4.2010 “Për shpalljen e Zonës Arkeologjike “A” dhe “B” të qytetit të Shkodrës dhe miratimin e rregullores së administrimit”. Në rregulloren e administrimit jepen qartësisht format e bashkëpunimit dhe rolet e institucioneve të ngarkuara për mbrojtjen, restaurimin dhe mirë administrimin e vlerave të kësaj zonë.
Ndërsa Parku Arkeologjik i Lezhës ndodhet në pjesën lindore të qytetit me të njëjtin emër. Lisi (Lezha antike), i ndërtuar në kodër, kishte një pozicion strategjik që kontrollonte luginën e Drinit deri në Gjirin e Shën Gjinit në detin Adriatik. Ai dëshmon për gjurmët e një qytetërimi të lashtë prehistorik qysh në shek. IV p.k. dhe ishte qyteti më i fortifikuar i Ilirisë, me një numër të madh kullash mbrojtëse. Kalaja e qytetit antik të Lezhës rrethohet nga mure të periudhave të ndryshme që vijojnë nga antikiteti shek.IV p.k. Këto janë mure të fuqishme me blloqe të mëdha guri. Rindërtimi i parë i kalasë datohet në shek. I p.k. Më vonë në shek. XI-XII në pjesën e akropolit të qytetit ndërtohet kështjella mesjetare e Lezhës – Elission, me gurë të vegjël të gdhendur dhe me llaç. Kjo kështjellë u përforcua për të përballuar dyndjet e shteteve të para sllave që vinin nga veriu. Në shek. III para Krishtit, Lisi bëhet pikënisje e sulmeve të flotës ushtarake të mbretëreshës ilire Teuta. Më vonë Lisi pushtohet nga Filipi V-të i Maqedonisë, nga romakët e Bizanti .
Me shpërbërjen e perandorisë bizantine, Lezha është qyteti i principatës së Arbërit dhe në vitin 1281 është kryeqendër e familjes së dukagjinëve. Me pas, venecianët, me marrjen e qytetit të Lezhës, rindërtuan fortifikimet e qytetit. Në 2 mars 1444 Gjergj Kastrioti Skënderbeu organizoi në Lezhë kuvendin e princërve shqiptarë, që njihet me emrin “Besëlidhja e Lezhës”. Mbas vdekjes së Gj. Kastrioti Skënderbeut në 17 janar 1468, i cili u varros në kishën e Shënkollit (sot memoriali i tij), Lezha bie nën sundimin venedikas dhe me pas, otoman. Lezha, ky qytet antik që pasqyron gjithë fazat e zhvillimit, ngritjes dhe rënies së perandorive që kanë sunduar këtë rajon, me kalanë mesjetare që dominon gjithë hapësirën deri në detin Adriatik dhe objektet e shumta arkeologjike, monumentet e kultit dhe dëshmitë historike, përbën një destinacion tërheqës për turizmit kulturor./ KultPlus.com