27 Mars, 2023 - 11:30 am
Sot shënohen plotë 24 vite që kur kriminelët serbë u futën në ambientet e Kompleksit Memorial të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, dhe me këtë rast e dogjën Shtëpinë muze të lidhjes me rreth 11 mijë eksponate historike, përcjellë KultPlus.
Kompleksi Monumental i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, si tërësi urbanistike dhe arkitektonike në aspektin hapësinor shtrihet në bërthamën e vjetër të qytetit të Prizrenit dhe ka vlerë të veçantë kulturore, historike, arsimore, shoqërore dhe ambientale. Ky kompleks ndodhet në mes të lumit Lumbardhi i Prizrenit, Kompleksit të Marashit (Mësonjëtorja – Dersëhanja), Rrapit të Marashit, dhe shpateve të Kalasë së Prizrenit. Në kuadër të Kompleksit ndodhen Ndërtesa e Lidhjes së Prizrenit, Muzeu, Biblioteka dhe Leximorja, Galeria e Arteve, Medreseja, Xhamia e Mehmet Pashës, Tyrbja si dhe objektet e banimit. Këto objekte të arkitekturës folklorike janë të shprehura si objekte të veçanta dhe në varg. Në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, gjatë restaurimeve dhe rindërtimeve në objektet e banimit shihet qartë ndikimi i Barokut Evropian me një përzierje të neoklasicizmit, gjë që formon pamjen specifike të këtyre objekteve
Në vitin 1946 Kompleksi i Lidhjes së Prizrenit u emërtua “Sheshi i Lidhjes së Prizrenit” dhe u regjistrua si vlerë e posaçme në Raportin Teknik të UNESCO-s. Pas viteve 50 të shekullit XX fillojnë rrënimet masive të objekteve të vjetra duke zgjeruar rrugët, duke ndryshuar rrjedhën e lumit Lumbardh në emër të “modernizimit” të qytetit. Tani nga ky Kompleks kanë mbetur pak objekte banimi të ruajtura sikurse që janë shkatërruar edhe disa pjesë të medresesë. Në vitin 1968 për arsye të ndërtimit të rrugës bëhet rrënimi i objekteve buzë lumit derisa vetëm ndërtesa e Rezidencës Qeveritare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dislokohet për disa metra në perëndim. Edhe në vitet 1976/78 bëhen ndërhyrje të rëndësishme duke rrënuar disa objekte të Kompleksit të Gazi Mehmed Pashës për të formuar Muzeun e Lidhjes së Prizrenit për nder të 100 vjetorit të saj.
Ndërsa, gjatë luftës së fundit në Kosovë, në vitin 1999 digjet tërësisht ndërtesa e Rezidencës Qeveritare të Lidhjes së Prizrenit e cila rindërtohet në qershor të vitit 2000. / KultPlus.com