28 Korrik, 2017 - 5:40 pm
Sivjet mbushen plotë 10 vjet qëkur kanë filluar punimet e ndërtimit të Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë.
Këtë vit, Ipeshkvia e Kosovës, synon të përfundojë punimet e parapara, me qëllim që në njëvjetorin e Shenjtërimit të Nënë Terezës të shugurohet Katedralja kushturar bijës sonë më të ndritur, që do të jetë më 5 shtator 2017.
Me moton e Ipeshkvit të Kosovës, Imzot Dodë Gjergjit, VJET NË ROMË – SIVJET NË PRISHTINË”, Fondacioni “DRITA” dhe Famullitari i Katedrales janë pajtuar që të fillojnë Aksionin “Miqtë e Katedrales për Katedralen” për të regjistruar miqtë e Katedrales, me qëllim që të ketë përfshirje më të gjërë në përfundimin e saj dhe për të krijuar miqësi shën-tereziane në Vendin tonë, e cila do të vazhdojë edhe pasi të kenë përfunduar punimet. Kjo nismë vjen edhe pas kërkesave të njerëzve vullnetmirë gjithandej trojeve shqiptare, që edhe ata të mund të jenë pjesë e ndërtimit të Katedrales, që është “Përmendorja e Përmendoreve” kushtuar Nënë Terezës.
Katedralja Nënë Tereza, qysh para se të fillojë të ndërtohet ka krijuar miq e simpatizantë. Miqtë e parë ishin ata që e mbështetën idenë dhe vullnetin e Imzot Mark Sopit, Presidentit Ibrahim Rugovës, Don Shan Zefit e shumë e shumë të tjerëve, që e kanë dëshiruar një Katedrale në Kryeqytetin tonë, kushtuar bijës së popullit tonë Nënë Terezës, sikur i gjejmë në qytetet evropiane.
Tani, në fazën finale të ndërtimit, Katedralja dhe udhëheqësit e saj, dëshirojnë ta shtrijnë rrjetin e miqve me qëllim të krijimit të miqësisë tereziane në Vendin tonë, e cila do të jetë e vazhdueshme edhe pasi të kryen punët e ndërtimit. Kjo lidhje miqësie do të bashkëpunojë në vazhdimësi për të krijuar një kulturë tereziane, e cila do të kontribuojë për një të ardhme më të mirë të të gjithë qytetarëve tanë, pa dallim. Udhëheqësit e Katedrales dëshirojnë të krijojnë mundësinë e vazhdueshme, që sa herë që do të shihet e nevojshme të ndërhyhet për veprat e mëdha të dashurisë për njeriun, shoqërinë dhe popullin tonë, të mund t’iu drejtohen miqve të vet për bashkëpunim dhe përkrahje.
Me këtë qëllim, çdo 26 gusht, që është ditëlindja e Gonxhes sonë dhe Dita e Bekimit të Gurthemelit të Katedrales, do të ftohen miqtë për të festuar së bashku dhe për të filluar aktivitetet e përvjetshme për nder të Nënë Terezës – “Ditët e Shenjtës Nënë Tereza” – që do të zgjasin deri me 5 shtator, në festën liturgjike të saj.