22 Qershor, 2019 - 4:09 pm
Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Zvicër, Ilir Gjoni mori pjesë në aktivitetin “Ditët e Shkollës Shqipe”, organizuar me nismën e kryetarëve të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë (LAPSH) të kantonit të Argaut dhe atij të St. Gallen, respektivisht Riza Dema e Vaxhid Sejdiu.
Seria e aktiviteteve nisi dje me tryezën kushtuar organizimit të shkollës shqipe me temë “Si ta bëjmë shkollën shqipe më mirë”.
Të pranishmit në këtë aktivitet evidentuan problematikat, ofruan mendime e sugjerime si të përmirësohet situata e mësimdhënies së gjuhës shqipe, nënvizuan nevojën e masivizimit të pjesëmarrjes dhe ndërgjegjësimit për domosdoshmërinë e nxitjes së fëmijëve e prindërve për nevojën e arsimimit në gjuhën e kulturën shqipe, si dhe u bënë apel institucioneve shtetërore të jenë me konkretë e të pranishëm në mbështetje të procesit të mësimit të gjuhës shqipe.
Konkluzionet dhe sugjerimet e kësaj tryeze do t’i përcillen Konferencës së 15-të të Arsimit në Diasporë që do të zhvillohet në Kosovë në 1-3 gusht 2019 në bashkëpunim mes dy ministrive të Arsimit të Shqipërisë e Kosovës dhe mësimdhënësve nga diaspora.
Në këtë aktivitet, i cili u zhvillua në Spreitenbach, ishin të ftuar edhe prof. dr. Zymet Neziri, prof. dr. Teki Kurti, prof. dr. Frashër Demaj.