Ditët Evropiane të Arkeologjisë

16 Qershor, 2023 - 12:02 pm

Kjo fundjavë i dedikohet e tëra arkeologjisë. Ditët Evropiane të Arkeologjisë, të cilat përkojnë me datat 16, 17 dhe 18 qershor, organizohen për të dytin vit radhazi edhe nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore. Kjo është një iniciativë e Institut National de Recherches Archéologiques Préventives.

Eventi ka si qëllim promovimin e trashëgimisë kulturore e kryesisht asaj arkeologjike, ku shtetet pjesëmarrëse angazhohen të përfshijnë aktivitete sipas një programi të caktuar.

Ditët Evropiane të Arkeologjisë nisën të gjejnë përhapje në 2019-ën, ku shtetet e përfshira u angazhuan të rrisin ndërgjegjësimin dhe të njohin audiencën evropiane me të gjitha aspektet e arkeologjisë.

Gjatë kësaj fundjave do të organizohen një sërë ngjarjesh, që synojnë angazhimin e familjeve, shkollave, studentëve, entuziastëve të historisë, vizitorëve të muzeut, si dhe pjesëmarrësve thjesht kureshtarë për të zbuluar këtë disiplinë të shumëanshme dhe trashëgiminë e tyre arkeologjike. Pavarësisht kohërave sfiduese që po kalon Evropa, arkeologjia shihet edhe si një disiplinë e cila mund t’i bëjë bashkë evropianët.

Ditët Evropiane të Arkeologjisë synojnë të ndajnë trashëgiminë arkeologjike në të gjithë Evropën dhe ta bëjnë kulturën të aksesueshme për të gjithë. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme