6 Prill, 2019 - 6:52 pm
Më shumë se 13 mijë e 500 llogaritet të jetë numri i personave të vrarë e të zhdukur gjatë konfliktit të viteve 1998-‘99 në Kosovë. Këto shifra i kishte publikuar Fondi për të Drejtën Humanitare, të cilat zakonisht janë shfrytëzuar edhe nga institucionet e instancat tjera relevante.
Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë. Ndërkaq për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, 2 mijë e 197 serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive tjera etnike. Një plagë tjetër e luftës janë edhe rreth 1 mijë e 600 persona të pagjetur.
Megjithatë, dy dekada pas përfundimit të luftës dhe 11 vjet nga shpallja e pavarësisë, shteti i Kosovës ende nuk ka arritur të bëjë dokumentimin e saktë e të plotë të krimeve që kanë ndodhur. Me qëllim të dokumentimit të krimeve të periudhës së luftës, më 2011, Qeveria e Kosovës kishte themeluar Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës (IHKL), i cili ishte funksional deri në vitin 2018.
78 ditët e çlirimit
Ish-drejtori i IHKL-së, Ismet Salihu, thotë se instituti, tashmë i mbyllur, ka botuar 9 libra për vrasjet, personat e pagjetur, gjenocidin serb dhe shkatërrimin e monumenteve dhe pasurisë së shqiptarëve.
Megjithatë, Salihu pranon se nuk është bërë mjaftueshëm në evidentimin dhe dokumentimin e vrasjeve, por edhe mbledhjen e fakteve dhe dëshmive nga dëshmitarët okularë dhe të mbijetuarit e masakrave të ndryshme.
Sipas tij, Instituti nuk ka mundur të bëjë më shumë pasi nuk është mbështetur nga institucionet, duke shtuar se puna më e madhe është bërë nga organizatat e ndryshme të shoqërisë civile.
Shkrimin e plotë e gjeni në Radion Evropa e Lirë./ KultPlus.com