Don Fatmir Koliqi propozon “Një rrugëtim në vendet e Nënë Terezës”, që do të lidhte Prishtinën, Prizrenin, Letnicën e Shkupin

15 Shtator, 2017 - 8:47 pm

Don Fatmir Koliqi ka dhënë një intervistë për AgenSir në Itali, me rastin e shugurimit të Katedrales “Nënë Tereza”, në Prishtinë, i cili ka treguar edhe për gatishmërinë për pritjen e shtegtarëve nga e gjithë bota, përcjellë KultPlus.

Nga AgenSIR

Shenjtërorja e kushtuar Shën Nënë Terezës në Prishtinë do të jetë e gatshme t’i pranojë shtegtarët nga e gjithë bota: “Do të jemi të gatshëm t’i pranojmë shtegtarët me gëzim dhe me dashurinë e Nënë Terezës. Populli ynë njihet tashmë gjithandej për mikpritje” – shpjegon famullitari Don Fatmir Koliqi, për AgenSir, përcjellë KultPlus.

“Jemi duke i shqyrtuar – vazhdon të shpjegoj Don Fatmiri – modalitetet, përmbajtjen dhe veçoritë që do të mund t’i ofrojmë shtegtarëve. Për Kishën tonë nuk do të jetë e vështirë t’i ushqejmë besimtarët me përshpirtërinë e Nënë Terezës, sepse i përkasim të njëjtit gjak. Shtegtarët që do të na vijnë në Shenjtërore do të mund të njihen me rrënjët, familjen dhe kulturën e Nënë Terezës, ku ajo ka jetuar për 18 vite”.

Don Fatmiri ka idenë për të propozuar “një rrugëtim në vendet e Nënë Terezës”, i cili do të kalonte prej Prishtinës, nëpër Katedralen e Prizrenit, vend i prindërve të Shenjtës, një vend historikisht i pasur me përshpirtëri, arkeologji të krishterë, me kulturë, me dialog ndërfetarë dhe ekumenizëm. Pastaj, ky rrugëtim do të kalonte te Shenjtërorja e Letnicës, ku Nënë Tereza kishte vendosur për t’u bërë misionare në shërbim të të varfërve, e do të përfundonte në Shkup, në vendin e lindjes së saj.
Kjo Shenjtërore në Kosovë, – vazhdon famullitari – do të ketë detyrë primare të dëshmojë ungjillin e Jezusit për “të jetuar si paraardhësit tanë, duke e dëshmuar bukurinë e fesë sonë”. Në “periudhat e vuajtjeve të mëdha”, gjatë okupimit otoman dhe komunizmit “Kisha jonë ka qenë shtyllë mbrojtëse për popullin tonë, në të gjitha kuptimet”. Sot kosovarët “janë në kërkim për t’i ri-gjetur rrënjët e tyre të krishtera, që të parët e tyre i kishin humbur gjatë shekujve. Do të jemi afër me ta në mënyrë të veçantë e do t’iu ndihmojmë ta ri-përqafojnë fenë e etërve të tyre. Nënë Tereza, bija e popullit tonë, do të jetë personi kyç në këtë ecje të fesë”. /KultPlus.com

Të ngjajshme