20 Janar, 2019 - 8:38 pm
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha sonte se është takuar me kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, të cilin e ka njoftuar për vendimin e Qeverisë për rritjen e pagave për mësimdhënësve të sistemit parauniversitar.
Ka një rritje substanciale të pagave, tha Haradinaj, duke theksuar se për këtë rritje janë dakorduar të gjithë, përfshirë edhe partitë opozitare, raporton KALLXO.com.
Haradinaj tha se për këtë rritje e ka njoftuar edhe kryetarin e SBASHK-ut, të cilit i ka kërkuar ndërprerjen e grevës.
Siapas kryeministrit, rritja për mësimdhënësit e shkollave të mesme do të jetë 74 euro nga paga aktuale.
Për arsimin fillor nga 479 euro sa është aktualisht – në 525.8, pra rritja është 46 euro.
Për mësimdhënësit e sistemit parashkollor nga 447.9 sa është tani rritja është në 501 euro.
Kurse për kategorinë e mësimdhënësve të shkollave speciale, rritja do të jetë për 49.8 euro.
Haradinaj tha se e ka ftuar Këshillin Drejtues të SBAShK-ut që ta shqyrtojë këtë ofertë dhe të marrë vendim të arsyeshëm.
“Do të ishte një mashtrim nëse grevistët mendojnë që do ta kenë një ofertë tjetër. Kjo është oferta e Qeverisë, 20 milionë euro më shumë për arsim”, tha kryeministri.
Kryeministri tha se i ka kërkuar kryetarit të SBAShK-ut të ndërpritet greva dhe nesër të fillojë mësimi.