14 Gusht, 2018 - 3:30 pm
Muzeut Historik Kombëtar iu shtua një tjetër pasuri plot vlera për trashëgiminë dhe kulturën shqiptare nga shkrimtarja dhe poetja me origjinë nga Struga, por që tashmë jeton prej vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Sadije Veseli.
Në një takim, të zhvilluar me drejtorin e muzeut Dorian Koçi, Veseli shprehu dëshirën për të dhuruar dy kostume tradicionale nga zona e Strugës për koleksionin etnografik të Muzeut Historik Kombëtar dhe këto kostume të veçanta ju shtuan trashëgimisë sonë kombëtare.
Bëhet fjalë për dy veshje tradicionale, ku kostumi i parë vishej përgjithësisht nga mosha e tretë dhe përmban këto pjesë: dimija, brez, peshterka, (përparëse),këmbëza, shami dhe çorape. Ky kostum është i vjetër mbi 100 vjet dhe i gjithi i punuar me dorë në veg.
Kostumi i dytë i përket veshjes së nuseve të reja strugane, që daton nga vitet 1980 dhe përmban dimija, brez, këmbëza, këmishë të punuar me grep,shaminë e kokës dhe çorapet. Po ashtu edhe ky kostum është i punuar me dorë në veg./ata