16 Prill, 2022 - 9:00 am
Kompozitorja, këngëtarja dhe gazetarja e njohur Violeta Rexhepagiqi, ishte një prej këngëtareve më të famshme të viteve 80-të e 90-të, një artiste avangarde dhe shumë e veçantë për nga stili i saj, shkruan KultPlus.
Violeta Rexhepagiqi u largua nga kjo botë më 16 prill të vitit të kaluar, por krijimtaria e saj dhe kontributi i madh që e ka dhënë në fushën e gazetarisë dhe informimit tek populli shqiptar për ngjarjet dhe torturat e burgosjet që ndodhnin në Kosovën e para luftës, nuk do të harrohen kurrë.
Violeta Rexhepagiqi u lind në Prishtinë me 16 Shkurt të vitit 1965.
Mësimet e para të përgjithshme i ndoqi në shkollën e qytetit “Faik Konica”. Pas suksesit me këngë dhe si spikere për programe të fëmijëve në “Radio Prishtinë” filloj të ndjekë mësimet edhe në shkollën e ultë të muzikës. Si rrjedhë e angazhimit të saj pasojnë edhe mirënjohjet në festivalin e fëmijëve “Akordet e Kosovës“. Njëkohësisht, Violeta interpreton më se 40 këngë për fëmijë, dhe luanë zërin e personazheve në radio-dramat për fëmijë. Në ndërkohë, Violeta nga adhuruesit e vegjël adhurohet dhe shikohet si shembull i rebelimit artistik.
Violeta për publikun e gjerë shqiptar u bë e njohur me paraqitjet e saja në grupin e muzikës moderne të kohës “Vivien” rreth vitit 1984. Gjatë kësaj kohe, ajo përfaqëson për dy herë Kosovën në përzgjedhjen e përfaqësueses së Jugosllavisë për “Këngën e Eurovizionit”. Që më parë Violeta, ishte e angazhuar në Radio Televizionin e Prishtinës dhe aty punoj deri në uzurpimin e kësaj qendre nga forcat e armatosura serbe. Gjatë kësaj kohe ajo përgatiti programin artistik me të cilin merr pjesë në festivalin e Radio Televizionit Jugosllav. Pas okupimit të RTP-së ajo mbeti e pa angazhuar deri pranoj ftesën si reportere lufte pranë disa agjencive dhe televizioneve të huaja, si “News Network”, “WTN”, “Sky NEWS” etj. Për këtë qëllim ajo raportoji nga shumë vatra të luftës. Gjatë udhëtimeve të saja, ajo pësoj një aksident në komunikacion dhe si pasojë për mëse dy vite e gjysmë nuk mund të lëvizte gjymtyrët e trupit.
Nga viti 1995 në bashkëpunim me produksionin muzikorë “Labia” bëri incizimin e një disku. Gjatë luftës në Kosovë, si pasojë e lëndimeve të saja nuk ishte në gjendje të raportonte në mënyrë aktive edhe pse kohën e luftës e kaloj në Prishtinë. Në ndërkohë (2010), Violeta punonte pranë Radio Televizionit publik të Kosovës “RTK”, shkruante tekste këngësh dhe kompozon për këngëtarë të vijës së saj artistike. Gjatë punës së saj në RTK, ka përgatitur disa emisione dokumentare, si “Loja e heshtjes”,” Azizia”, “Linda”, “Joliria në liri”, etj. Ajo punoni në RTK deri në fund të jetës dhe në kohë të lirë shkruante tekste dhe kompononte këngë për të tjerët. / KultPlus.com