19 Shkurt, 2019 - 11:20 am
“La Belle de L’Adriatique” mbërriti sot paradite në Durrës, duke hapur sezonin e turistëve me kroçera në qytetin bregdetar.
Anija me 134 turistë francezë në bord mbërriti nga ishulli i Korfuzit, ndërsa mësohet se gjatë fundjavës së kaluar ajo është ankoruar edhe në Sarandë dhe Vlorë.
Turistët e huaj përveç qendrave arkeologjike dhe historike të Durrësit do të vizitojnë sot edhe qytetin e Tiranës.
Kroçera me gjatësi 111 metra dhe me flamur belg do të ankorohet në Durrës edhe shtatë të shtuna radhazi. Ky është viti i tretë i lundrimit të kroçerës “La Belle de L’Adriatique” drejt Durësit.
Sezoni turistik në portin e Durrësit këtë vit ka nisur më shpejt dhe do të zgjasë mbi 9 muaj. Deri tani në APD është njoftuar mbërritja e 25 kroçerave dhe velierave turistike, të cilat do ta vizitojnë portin e Durrësit nga muaji shkurt deri në nëntor të këtij viti.