3 Mars, 2019 - 5:00 pm
Moti i ngrohtë mblodhi sot qytetarë të shumtë dhe vizitorë nga qytete të tjera të vendit në Vlorë.
Fëmijë dhe të rinj mes lojërave të ndryshme sportive po kalojnë momente argëtuese. Ndërsa qytetarë të shumtë po shijojnë këtë ditë me diell në bregun e Lungomares.
I konceptuar si një hapësirë ku alternohen 3 lloje lëvizjesh, ajo me automjete, me biçikleta, si dhe pedonalja, në Lungomare qytetarët gjejnë vetveten, në varësi të dëshirave të tyre.
Por, ka nga ata që kanë zgjedhur si destinacion të tyre edhe vizitat në pikat turistike të qytetit, ose në lokalet pranë bregdetit.
Në disa fotografi të publikuara bashkia e Vlorës na sjell momente nga dita e sotme e qytetarëve vlonjatë, por edhe e vizitorëve nga qytete të ndryshme të vendit dhe jashtë tij.
Vlora me brigjet e saj, Karaburunin, Sazanin, Llogoranë, kalanë e Kaninës, Lagunën e Nartës, plazhet e shumtë, monumentet, njerëzit, prodhimet e tokës dhe të detit është gjithnjë e më shumë e frekuentuar nga turistët vendas dhe të huaj./ ata