8 Dhjetor, 2020 - 6:30 pm
Marie Tuçi, mësuesja 22-vjeçare që vdiq nga torturat e tmerrshme në kohën e sistemit komunist në Shqipëri, duke u bërë kështu e vetmja grua që renditet në mesin e 40-të martirëve të parë të kishës katolike shqiptare, shkruan KultPlus.
Atë e mbyllën në një thes së bashku me një mace të tërbuar dhe e goditën atë me mjete të forta. Kur e nxorën nga thesi, Maria ishte transformuar sa nuk njihej. U dërgua në spitalin e të burgosurve në gjendje të mjerueshme, ku nga plagët e marra nuk njihej. Nga spitali i burgut u dërgua në spitalin civil dhe ditët e fundit që kaloi në spital vizitohej nga të afërmit e paktë, mes të cilave dhe shoqja e kushërira e saj Davida, që punonte si infermiere. Në fillim ajo nuk e kishte njohur. Asaj Maria i ishte shprehur se shefi i sigurimit e kishte çuar deri në fund fjalën e tij, kur i kishte thënë se “do të të katandis aq sa të mos njihesh”.
Maria Tuçi vdiq në spitalin e Shkodres, më 20 shtator të vitit 1950./ KultPlus.com