E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, do të rrëfejë historinë në Hagë

17 Tetor, 2018 - 9:36 am

Vasfije Krasniqi – Goodman, e mbijetuar e dhunës seksuale ka rrëfyer përjetimet e saj të hidhura gjatë luftës duke përfshirë stigmatizimin nga shoqëria dhe rrugën e mundimshme për të kërkuar drejtësi.

Shumë shpejtë, Krasniqi – Goodman do të jetë në Hagë përkrah fituesit të çmimit Nobel për Paqe për të treguar tregimin më të dhimbshëm të luftës së Kosovës.

Për të dëgjuar rrëfimin e saj kishin shkuar shumë personalitete të njohura, ndër ta edhe isj-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri. Ata kanë ndarë në Facebook momente nga rrëfimi i Vasfije Krasniqi – Goodman.

“Momente të tilla tejet prekëse, në të njejtën kohe janë dëshmi e forcës dhe guximit të jashtzakonshmëm të të mbijetuarve, të cilët përkundër vështirësive, me aktivizmin e tyre po ngritin vetëdijen se përdorimi i dhunës seksuale si mjet lufte duhet të zhduket njëherë e përgjithmonë dhe se kryesit e këtyre krimeve duhet të përballen me drejtësi”, ka shkruar Jahjaga në Facebook.

Ish-presidentja Jahjaga ka treguar se teksa dëgjonte Vasfijen duke ndarë tregimin e saj të hidhur me të gjithë, mendonte edhe për progresin që është arritur në luftimin e stigmës, sidomos që nga viti 2014.

“Prandaj, shembulli i Vasfijes është tregim i shpresës se, përkundër vështirësive, me përkushtim nga secili prej nesh, ne do ju sigurojmë të mbijetuarve se ata dhe ato nuk janë vetëm, dhe se ne do të jemi gjithmonë pranë tyre—sidomos në betejën e radhes, atë të qasjes në drejtësi”, ka shkruar Jahjaga.

Kurse kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka thënë se Hasfije Krasniqi – Goodman është krenaria e Vushtrrisë dhe e Kosovës.

“Ajo, sot para gjithë botës, tregoi me guxim për përjetimet e dhunës seksuale të kryera gjatë luftës së fundit nga Policia serbe. Si kryetar i Vushtrrisë, si shok i fëmijërisë, si kojshi, Vasfije, sot unë dhe gjithë Vushtrria e Kosova, jemi me ty, ndjejmë dhembjen tënde por edhe jemi krenar me ty”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Më tej Tahiri ka shtuar se liria jonë nuk është e plotë pa gjykimin e krimeve të dhunës seksuale. Po ashtu ai ka njoftuar se shumë shpejtë Vasfija do të jetë në Hagë për të rrëfyer përjetimin e saj të dhimbshëm në luftën e Kosovës përkrah fituesit të çmimit Nobel për Paqe.

“Jemi me ju për të ju përkrahur në çdo hap deri të arrihet drejtësia, e kriminelët të marrin dënimin e merituar”, ka përfunduar Tahiri.

Të ngjajshme