17 Tetor, 2017 - 5:48 pm
Praktika e dëmtimit të objekteve të vjetra me vlerë që ndodhen në Qendrën Historike të Prizrenit nga faktori njeri po vazhdon, përcjellë KultPlus.
Rasti i fundit i këtillë ka ndodhur të hënën pasdite në rrugën “Hysen Rexhepi” në Prizren, me ç’rast është rrënuar muri anësor i objektit të Kryqit të Kuq. Informatat fillestare tregojnë se në këtë rast nuk ka pas rrënim të qëllimshëm dhe se një gjë e tillë ka ndodhur si rrjedhojë e mungesës së masave mbrojtëse ndaj objektit fqinj. Për dallim prej herëve të kaluara, reagimi i autoriteteve policore në këtë rast ka qenë i menjëhershëm. Drejtoria e Policisë rajonale në Prizren përmes mediave ka njoftuar se: “me 16 tetor, rreth orës 16:05 minuta, Policia në Prizren, e ka pranuar një informatë e cila bënte me dije se në rrugën “Hysen Rexhepi” është rrënuar muri i objektit të Kryqit të Kuq, i cili është nën mbrojtje si monument i trashëgimisë kulturore”.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetues policorë dhe krim teknikët të cilët kanë kryer procedurat hetimore në prezencë të zyrtarëve komunal kompetent. Deri të rrëzimi i murit dyshohet të ketë ardhur pasi që një i dyshuar, gjatë punës me ekskavator, duke hapur një bodrum, nuk ka ndërmarrë masat e duhura për mbrojtjen e murit. Me urdhër të prokurorit të shtetit, i dyshuari ndalët nën masën e arrestit policor”, ka njoftuar Policia.
Ndërsa autoritetet komunale kanë bërë të ditur se muri anësor i objektit të Kryqit të Kuq është rrënuar gjatë punimeve për rrënimin e një objekti tjetër në ngastrën fqinje, me gjasë nga pakujdesia e operatorit dhe nga bazamenti jo i fortë i objektit të vjetër. Sipas tyre DUPH-ja ka lëshuar leje të rrënimit për lokalin që ndodhej afër ndërtesës së Kryqit të Kuq, por se gjatë punimeve është dashur të merren masa mbrojtëse për objektin fqinj. Pas ndodhisë, autoritetet lokale kanë urdhëruar sigurimin e objektit të dëmtuar nga tri anët derisa në anën e dëmtuar duhet të sanohet objektit dhe i njëjti të sillet në gjendjen e mëparshme ekzistuese.
EC Ma Ndryshe vlerëson se objekti i Kryqit të Kuq ka vlerë historike, artistike, identiteti, peisazhore, ekonomike dhe funksionale. Fakti që ndodhet në Qendrën Historike të Prizrenit i jep automatikisht statusin e objektit të mbrojtur me ligj. Dispozitat e Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit përkufizojnë se personi fizik dhe juridik, i cili bën rrënimin apo çfarëdo aktivitet tjetër, duhet të ndërmarrë paraprakisht të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur objektin e trashëgimisë kulturore nga shkaktimi i çfarëdo dëmi të mundshëm, gjatë kryerjes së këtyre aktiviteteve. Këto masa duhet të ndërmerren në koordinim me DUPH-në dhe QRTK-në. Ky ligj gjithashtu thekson se “personi fizik dhe juridik që bën rrënimin apo çfarëdo aktiviteti tjetër të ndaluar, paguan të gjitha shpenzimet e nevojshme për kthimin e objektit të dëmtuar të trashëgimisë kulturore dhe fetare në gjendjen para shkaktimit të dëmit”.
Duke i marrë parasysh rastet e mëhershme sikurse edhe rastin e fundit EC rekomandon që përfaqësuesit e organeve komunale si dhe autoritetet e trashëgimisë kulturore të jenë prezent dhe të mbikëqyrin çdo aktivitet ndërtimor në Qendrën Historike të Prizrenit, ashtu që të parandalohen rastet e dëmtimit dhe rrënimit të objekteve me vlerë në këtë zonë të mbrojtur. / KultPlus.com