14 Maj, 2018 - 9:23 pm
SHBA hap sot ambasadën e re të saj në Jerusalem, një lëvizje kjo e pëlqyer nga Izraeli, por e dënuar nga palestinezët dhe faktori ndërkombëtar.
Zyrtarë të lartë amerikanë do të marrin pjesë në ceremoninë e sotme, përfshirë vajzën e presidentit Donald Trump, Ivanka dhe bashkëshortin e saj, Jared Kushner.
Ndërkohë, ndonëse votoi pro rezolutës turke në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Tirana zyrtare ka vendosur të mos e bojkotojë ceremoninë e përurimit të ambasadës amerikane në Jerusalem.
Gazeta “Times of Israel” shkruan se nga ftesat e dërguara për përfaqësuesit e 86 vendeve të ndryshme, vetëm 33 e kanë pranuar atë, ndërsa pjesa më e madhe e diplomatëve evropianë, nuk do të jenë të pranishëm.
Përveç Shqipërisë, në aktivitet marrin pjesë edhe Rumania, Republika Çeke dhe Hungaria që kundërshtojnë çdo ndryshim të statusit të Jerusalemit pa një marrëveshje izraelito-palestineze.
Ceremoninë ku do të marrë pjesë kryeministri Netanyahu dhe ku do të flasë edhe ambasadori amerikan në Izrael, Friedman, e kanë bojkotuar vende të tilla kryesore në botë, si Kina, Rusia, Gjermania, India, Kanadaja, Australia dhe Argjentina.
Izraeli, mori kontrollin e Jerusalemit Lindor në luftën e Lindjes së Mesme në 1967 dhe e konsideron atë si kryeqyteti i përjetshëm, i pandashëm.
Vendimi i presidentit Trump, vitin e shkuar, për ta njohur atë si kryeqytet të Izraelit, përmbysi dekada neutraliteti amerikan mbi këtë çështje dhe i vendosi SHBA-të përballë pjesës më të madhe të komunitetit ndërkombëtar.
Ceremonia e hapjes në fakt është disi e nxituar por qëllimi është që ajo të koinçidonte me përvjetorin e 70 të shtetit të izraelit.
Presidenti amerikan, Donald Trump, pritet t’i drejtohet pjesëmarrësve në ceremoni, përmes një lidhjeje video.